Udhëheqësi Ram urdhër kryebashkiakëve të zëvendësojnë inceneratorët me metodën e lejfenit të Cërrikut

Ilir DAKO

Udheheqësi i madh Ram, pasi mori bekimin e popullit të tij me 83 mandate nisi rrugëtimin e tij për të mbajtur fjalën që i kishte dhënë popullit të tij. I prekur në sedër nga dashuria e shqiptarëve për fitoren e pakushtëzuar, udhëheqësi Ram filloi fushatën më të madhe në historinë mijëra vjeçare të shqiptarëve për të shndërruar misionin e tij në një luftë hyjnore të mishërimit në një qënie mistike që prodhon veç benefite materiale për kombin e tij. Pas 12 viteve si kryebashkiak i Tiranës dhe po aq kryeministër i shqiptarëve, udhëheqësi Ram, i prekur nga mirësia e kombit të tij me dhuratën e mandatit të katërt, vendosi të përkthejë në vepra mirësinë e bashkëkombasve të tij.

Së pari shkoi në Vlorë, ku të gjithë vlonjatëve që i dhanë mandatin e katërt ju prishi lokalet, parkingjet dhe më në fund i përzuri të gjithë drejtorët e bashkisë që punuan me shpirt për këtë fitore të bujshme të PS nën drejtimin e udhëheqësit Ram. Si shpërblim ndaj tyre vendosi zëvendësimin me figura të shquara nga PD, duke i treguar qartazi, se mirënjohja për socialistët konsistonte në aftësinë e Udhëheqësit Ram për të shfaqur altruizmin dhe shpirtin e madh të tyre në raport me rivalët demokratë.

Pas Vlorës udhëheqësi u hodh me një vrap pele në qendrën e lalërisë, në Fierin historik i shoqëruar nga torta Belë, ku shpalosi shpirtin fisnik të socialistëve fierakë me një goditje brilante shkarkoi gjithë stafin e bashkisë. Udhëheqësi Ram, i frymëzuar nga intelektualja e shquar me katër klasë shkollë Belë, spastroi stafin e Subashit dhe i paralajmëroi të gjithë se 12 mandatet fierake do ju shpërblehen me punësime demokratësh, prishje biznesesh dhe ngritje taksash. Udhëheqësi Ram i 83 mandateve ju turr më pas të gjitha bastioneve socialiste me dëshirën e mirë për ti shpërblyer ashtu si di ai, me mirësitë, pabesitë dhe poshtërsitë të konvertuara në cilësitë e udhëheqësit Ram në virtuozitetin e një makiavelisti të paskrupullt. Ra Durrësi, Elbasani, Lezha Shkodra dhe gjithë bashkitë e Shqipërisë, duke spastruar të gjithë stafet drejtuese dhe vendosur në krye misionarët demokratë të virtytshëm dhe frymëzuar nga turi i udhëheqësit Ram.

Misionari Ram në kryqëzatën e tij shkatërroi gjithçka që pengonte estetikën vizuale aq tw dwshiruar prej tij, duke filluar nga kioskat e Vlorës, Tiranës dhe përfunduar në skërkat e Thethit. Ai ju bëri të qartë malësorëve trima të Thethit, se paketa e Maleve nuk ishte iniciativë për ta. Ajo është iniciativë për oligarkët e tij, të cilët do sakrifikohen duke investuar në Theth, ndërkohë që malësorët duhet të kënaqen me bukuritë natyrore të vendit të tyre duke u relaksuar me bukurinë e resortet e ithtarëve të Udhëheqësit Ram. Për t’u sqaruar fisnikërinë e misionit të tij, Udhëheqësi çoi ca policë me kallashnikovë që ti bindë siç duhet Thethianët trima, që e kishin konceptuar gabim paketën e maleve.

Pas Thethit udhëheqësi ju kthye kryebashkiakëve, duke ju kujtuar se autonomia vendore ishte një “atu” e vendeve të prapambetura europiane, kurrsesi në oazin shqiptar të yshtur nga filozofia e udhëheqësit Ram. Në takimin me ta ju kërkoi që të harrojnë inceneratorët, pasi ata nuk funksionojnë më dhe për të zbutur këtë dhimbje me vjedhje qindra milionë euro kërkoi të ndiqej shembulli i kryebashkiakut të Cërrikut. Sipas udhëheqësit Ram, kryebashkiaku është një lloj Lejfeni kinez që merr plehrat dhe i shndërron në ushqim për tokën. Ashtu si lejfeni që merrte gozhdat e ndryshkura dhe i rigjeneronte, ky kinezi nga Cërriku e kthen plasmasin, kanoçen në ushqim për bujqësinë të cilat më pas japin bostanin dhe kastravecin e shëndetshëm për turistët që presin. në radhë në aeroportin e Rinasit.

Pasi mbaroi udhëtimin spiritual për purifikimin e shpirtrave të shqiptarëve dhe dhënies së formulës së lejfenit të Cërrikut, Udhëheqësi Ram së bashku me misionaren Linda u mbyll në sinagogën e tij në plazhin e Dhërmiut, ku nën ndikimin e verës 33 mijë euro dhe ndonjë gjysëm kile viza të bardha, mbylli sytë i lumtur, duke rënë në një gjumë të thellë i shoqëruar nga ëndrrat ngjyra-ngjyra me resorte dhe ishuj oligarkësh.