“Drejtuesit nuk duhet të largohen nga automjeti”/ Zyrtari i Policisë Rrugore: Penalizime të ashpra, ja si do ndëshkohen

Rregullat për parkimin e automjeteve në Shqipëri po ashpërsohen, dhe shkeljet nuk do të ndëshkohen më vetëm me gjoba.

Ali Yzeiri, shef sektori për edukimin në Sektorin e Policisë Rrugore, ka deklaruar se drejtuesit që parkojnë në mënyrë të gabuar rrezikojnë tashmë edhe dënim me burg.

Yzeiri sqaroi se një nga elementët që shpesh keqkuptohet nga qytetarët është qëndrimi i përkohshëm i mjetit.

“Qëndrimi i përkohshëm lejohet vetëm për të marrë apo zbritur një pasagjer dhe për një kohë të kufizuar. Por drejtuesi i mjetit nuk duhet të largohet nga automjeti dhe duhet të jetë i gatshëm të lëvizë menjëherë nëse pengon qarkullimin,” tha ai.

Në raste të tilla, paralajmëroi Yzeiri, parashikohen penalizime të qarta dhe të ashpra, përfshirë masa ndëshkuese që mund të shkojnë deri në ndalimin e lirisë për raste të përsëritura apo të rrezikshme për qarkullimin rrugor, sidomos në bllokimin e mjeteve si ambulancat, zjarrfikëset apo automjetet e policisë.

Ai nënvizoi se synimi i këtyre masave është rritja e disiplinës rrugore, lehtësimi i trafikut dhe mbrojtja e sigurisë së qytetarëve në rrugë.