Kredia konsumatore do i kushtojë më pak xhepit të qytetarëve/ BSH ul tavanin për interesat maksimale

Kredia konsumatore do i kushtojë më pak xhepit të qytetarëve deri në korrik të këtij viti, pasi Banka e Shqipërisë ka vendosur të ulë tavanin për interesat maksimale që do të aplikohen për këto hua.

Më 11 korrik Banka e Shqipërisë ka vendosur që interesi për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë të ulet nga afro 71% që ishte deri në fillim të muajit në 62.20%.

Ndërsa interesi maksimal për kreditë nga 200 deri në 600 mijë lekë është ulur në 35.21% nga 36.5% që ishin tavanet e mëparshme.

Kurse interesat për kreditë me vlerë mbi 600 mijë lekë kanë pësuar rritje të lehtë. Të gjithë qytetarët që do të marrin kredi mbi 600 mijë lekë deri në 2 milionë lekë do të kenë interes maksimal 14.93% nga 14.7% në 6-mujorin e parë të vitit, ndërsa ata që marrin mbi 2 milionë lekë deri në 10 milionë do e kenë interesin maksimal 12.02% nga 11.8% që ishte.
Vendimi që Banka e Shqipërisë të përcaktojë normën maksimale të interesit u mor në vitin 2021 dhe hyri në fuqi në vitin 2022, pas abuzimeve që këto institucione jo-bankare bënin me interesat e kredive konsumatore që merrnin qytetarët, për shkak se e japin më shpejt huanë dhe nuk kërkojnë kolateral.

Skandali i vitit të shkuar me mikrokreditë e përforcoi edhe më shumë domosdoshmërinë për të kufizuar interesat dhe gjobat, për shkak se institucionet jo banka shpesh nuk e kanë respektuar këtë rregullore.

Shënim: Norma Efektive e Interesit përfshin të gjitha kostot që një kredimarrës paguan për kredinë e marrë (si p.sh. norma e interesit, komisionet e ndryshme, kosto e mbajtjes së një llogarie nëse është e detyrueshme për të marrë kredinë, primi i sigurimit që paguan kredimarrësi, etj.).

NEI MAKSIMAL PËR KREDITË KONSUMATORE

Ishte Bëhet
0 – 200.000 Lekë 70.90% 62.20%
200.001 – 600.000 Lekë 36.55% 35.21%
600.001 – 2 mln Lekë 14.76% 14.93%
2 – 10 mln Lekë 11.84% 12.02%