Qeveria planifikon të sjellë në Shqipëri 40 mijë të huaj për të punuar
Nga bregdeti i Sarandës, në Shqipërinë e mesme dhe deri në veri të saj, gjithnjë e më shpesh dëgjohet një shqipe me theks të huaj teksa shërbehet në shumë biznese.
Shqipëria e viteve të fundit, që ankohet për papunësi, duket se po plotëson këto vende bosh.
Leen – sanitare nga Filipinet: “Në vendin tonë mundësitë e punësimit janë të pakta dhe të vështira për t’u gjetur, sepse ka shumë popullsi dhe nëse s’ke mik në qeveri, ti nuk gjen një vend të mirë pune.”
Joana – sanitare nga Uganda: “Vendosa të vij këtu sepse në vendin tonë, paratë që marrim këtu janë shumë më të larta dhe kjo më ndihmon mua dhe familjen time.”
Tiza – magazinier nga Mianmari: “Agjencia ku u interesova më kreu të gjitha procedurat e nevojshme dhe unë erdha menjëherë. Jam i lumtur.”
Shqipëria është e njohur për ta. Të gjithë janë të kënaqur, nuk paguajnë qira, ushqimi u ofrohet nga biznesi, ndërsa çdo muaj dërgojnë para në shtëpi. Por ky realitet është pasqyrë e një problemi më të thellë për tregun shqiptar të punës. Në bujqësi, industri, ndërtim e turizëm janë sektorët që vuajnë për fuqi punëtore, ndërsa mbi 11 mijë punonjës të huaj janë “importuar” për të plotësuar vendet bosh.
Filip Gjoka, sipërmarrës: “Nga ikja dhe mungesa e lindjeve, na kanë detyruar të kthejmë sytë te punëtorët e huaj. Kemi 3 vjet me kontingjentin e parë, ka ardhur i dyti dhe i treti dhe po mundohemi t’i ambientojmë me klimën, ushqimin dhe rregullat tona. Është e vetmja zgjidhje që ne të mos humbim kontratat që kemi vite që kemi punuar për t’i lidhur.”
Mungesa e fuqisë punëtore është e ndjeshme në disa sektorë kyç. Ishim në sektorët e akomodimit dhe tani kemi kaluar në fabrikat e agropërpunimit.
Gokul, punonjës nga India: “Ne erdhëm 5 njerëz nga India dhe kemi këtu mbi 2 muaj e gjysmë. Pagat për momentin janë më të mira se në Indi.”
20% e forcës punëtore në Shqipëri mbulohet nga të huajt, sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit, ndërsa më shumë lehtësira do të krijohen në kuadrin e ri ligjor për të huajt në vendin tonë në vijim.
Gertiola Hoxha, drejtoreshë e Shërbimit të Punësimit: “Vihet re një trend rritës, por po flasim për Shqipërinë si një vend gjithnjë e më atraktiv. Ka më shumë nevojë për fuqi punëtore, përfshirë edhe forcë të huaj. Sfidat janë mungesa dhe pasaktësia e dokumentacionit të paraqitur nga të huajt, përmbushja e kritereve dhe rritja e kapaciteteve të punonjësve. Po rishqyrtohet ligji për të huajt, i cili ka për qëllim të lehtësojë të drejtat e emigrantëve si dhe mbrojtjen e tyre, aksesin në informacion, në tregun e punës, etj.”
Qeveria planifikon të sjellë në Shqipëri 40 mijë të huaj për të punuar./ Top Channel