Policia vendos në pranga zyrtarin publik/ U kap në flagrancë duke…

Policia e Kosovës njoftoi të hënën se e ka arrestuar një zyrtar publik nën dyshimin për ryshfet, pasi e kishte kapur në flagrancë duke pranuar të holla në këmbim të kryerjes së një shërbimi zyrtar.

Në një komunikatë për media, ajo nuk tregoi identitetin e zyrtarit e as ku ka ndodhur rasti, por tha se operacioni për arrestimin e tij u krye nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë.

“Gjatë veprimeve hetimore është siguruar dëshmi relevante që çojnë në dyshimin se një zyrtar publik (i gjendjes civile) ka kërkuar dhe pranuar para në këmbim të një shërbimi zyrtar”, thuhet në njoftim.

Policia tha se ndërhyri në çastin kur zyrtari publik “e pranoi shumën e dyshuar si ryshfet”, dhe e arrestoi atë në flagrancë.

“Tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar provat materiale relevante për rastin”, tha Policia, por nuk zbuloi shumën e parave që dyshohet ta ketë pranuar ai

I dyshuari është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe do të mbahet në paraburgim për 48 orë, sipas njoftimit.

Policia tha se hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.

Nëse shpallet fajtor, zyrtari publik rrezikon dënim me burgim prej 6 muajsh deri në 5 vjet dhe me gjobë për marrje të ryshfetit në këmbim të kryerjes së një veprimi zyrtar, sipas Kodit Penal të Kosovës. /REL