Sot hyn në fuqi urdhri: Çdo shishe qumështi dhe bulmet pa faturë do të sekuestrohet

Që prej ditës së sotme, hyn në fuqi urdhri i prerë i Kryeministrit Edi Rama për ndëshkimin e çdo subjekti që tregton mallra pa faturë tatimore.

Aksioni fokusohet kryesisht në tregjet e produkteve ushqimore, veçanërisht të mishit dhe bulmetit, ku niveli i informalitetit vijon të jetë i lartë, duke rrezikuar konkurrencën e ndershme, të ardhurat shtetërore dhe sigurinë ushqimore.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, deklaruan se nga kjo e hënë çdo produkt që shitet pa faturë do të sekuestrohet menjëherë.

Kontrollet do të jenë intensive dhe të përditshme, me praninë e vetë ministrave në terren, si në tregjet me pakicë, ashtu edhe në pikat e shumicës.

“Fatura tatimore nuk është thjesht një letër, por një garanci për konsumatorin dhe një detyrim ligjor për çdo tregtar,” – tha ministrja Denaj. Ajo paralajmëroi masa të rënda ndaj shkelësve, përfshirë sekuestrim të mallrave dhe ndëshkime administrative apo penale.

Ndërkohë, ministri Malaj theksoi se këto nuk janë aksione sporadike, por pjesë e një strategjie të qëndrueshme për formalizimin e sektorit agroushqimor.

“Nuk do të pranohet më justifikimi ‘e mora nga fshati’. Çdo produkt duhet të ketë dokumentacionin përkatës. Kush nuk ka faturë, nuk ka vend në treg,” u shpreh Malaj.

Masat do të përfshijnë të gjithë zinxhirin nga prodhuesit, përpunuesit, shitësit me shumicë dhe pakicë, deri te konsumatori. Qeveria nënvizon se qëllimi nuk është të penalizojë fermerët apo shitësit e ndershëm, por të ndalojë praktikat e paligjshme që dëmtojnë ekonominë dhe konsumatorin.

Sipas autoriteteve, edhe vetë qytetarët kanë rol kyç: janë ftuar të kërkojnë faturën në çdo blerje dhe të denoncojnë abuzimet.

Kjo nismë sinjalizon një epokë të re disipline fiskale në tregjet shqiptare ku toleranca ndaj informalitetit do të jetë zero.