Aksident tragjik në Itali, 3 viktima dhe dy të plagosura rëndë në një tunel pranë Firences! Mes tyre dhe një e mitur

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e së martës në autostradën A1 në provincën e Firences, përgjatë segmentit Variante di Valico, brenda tunelit “di Base”.

Ngjarja tragjike u shënua rreth orës 14:30, kur një kamion u përplas me një automjet tip veturë, duke shkaktuar vdekjen e tre burrave dhe plagosjen e rëndë të një gruaje dhe një vajze të mitur.

Sipas hetimeve paraprake, automjeti në të cilin udhëtonin viktimat dhe të plagosurat dyshohet se është ndalur papritur brenda tunelit. Disa makina që udhëtonin pas tij arritën të shmangnin përplasjen, por jo edhe kamioni, i cili, pavarësisht përpjekjes për të frenuar, nuk mundi të evitojë aksidentin e rëndë.

Shkaku i saktë i aksidentit është ende në hetim nga autoritetet italiane, të cilat po analizojnë pamjet nga kamerat e sigurisë në tunel për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Forcat e zjarrfikësve dhe ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje, por për fat të keq, mjekët konstatuan vdekjen e menjëhershme të tre burrave.

Ndërkohë, gruaja 35-vjeçare u transportua me helikopter në spital në gjendje kritike për jetën, ndërsa edhe vajza e mitur është dërguar me helikopter për trajtim të specializuar.

Për shkak të aksidentit, segmenti i autostradës midis Firenzuola dhe Badia, në drejtim të Bolonjës, u mbyll për disa orë, duke shkaktuar vonesa të mëdha në qarkullim.