Një i burgosur 20-vjeçar, Elyazid A., me origjinë nga Mayotte, është arrestuar tre ditë pas një arratisjeje të pazakontë nga burgu Lyon-Corbas në Francë, ku mbahej për vrasje dhe pjesëmarrje në një grup të organizuar.
Sipas autoriteteve franceze, Elyazid A. ka arritur të fshihej brenda një çante të madhe që i përkiste shokut të tij të qelisë, i cili po lirohej atë ditë. Përmes një karroce bagazhesh, ai ka dalë jashtë ambienteve të burgut pa u vënë re nga stafi, që kuptoi mungesën vetëm të nesërmen në mëngjes.
Pas shpalljes së alarmit të kuq nga Interpoli, i arratisuri u lokalizua dhe u arrestua të hënën në një bodrum në qytetin Sathonay-Camp, në veri të Lionit, nga njësi speciale të policisë. Ndërkohë, bashkëpunëtori që ndihmoi në këtë ikje spektakolare vazhdon të jetë në kërkim.
Shërbimi francez i burgjeve ka nisur një hetim të brendshëm për të zbuluar shkeljet e sigurisë që lejuan arratisjen, ndërkohë që burgu Lyon-Corbas po përballet me mbipopullim të madh – aktualisht ka mbi 1,200 të burgosur, ndonëse është ndërtuar për vetëm 678 veta.