Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një video ku tregon premtimet e Kryeministrit Edi Rama para 11 majit. Në postimin e tij në Facebook, Berisha thekson se Rama, përpara datës 11 maj 2025, ka dhënë premtime publike për mbështetje dhe investime në zonë, por menjëherë pas kësaj date, ka nisur prishjen e ndërtimeve në Theth.
Postimi i Berishës:
Kjo eshtë fytyra e vërtetë e Ramaduros!
Si nisi çështja e ndërtimeve pa leje?
Në ditët e para të muajit korrik kryeministri Edi Rama bërë një vizitë të befasishme në bashkinë e Vlorës duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve në këtë bashki për moskompetencë e që lidhej kryesisht me atë që e cilësoi më vonë si zaptimin e hapësirave publike.
Gjatë vizitës Rama u ka bërë thirrje deputetëve në largim e atyre të zgjedhur dhe drejtuesve vendorë të dalin në terren dhe t’ju japin zgjidhjeve problemeve të qytetarëve, duke i takuar nga afër. Gjithashtu ai iu ka dhënë ultimatum që brenda dy javëve të kenë gati raportin me punën e bërë.
Ndërkohë më 8 korrik Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit dhe Durrësit në institucionet që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrën. Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për menaxhimin e hapësirave publike të zaptuara.
Po në këto ditë të para të korrikut 2025 nisi dhe një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje. Në këtë rast Rama akuzon prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje.
Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.