Moti përvëlon vendin – temperaturat pritet të arrijnë deri në 41°C javën e ardhshme
Meteorologia, në një prononcim gjatë një emisioni televiziv këtë të martë, ka bërë të ditur se vendi po përballet me një rritje të ndjeshme të temperaturave, të cilat pritet të intensifikohen edhe më shumë gjatë ditëve në vijim.
“Dita e djeshme ka shënuar deri në 37 gradë Celsius në disa qytete të vendit,” deklaroi ajo. “Edhe nesër do të shohim një rritje të lehtë prej 1 deri në 2 gradë, por ende nuk kemi arritur atë kufirin simbolik të 40 gradëve që shpesh përmendet si kulmi i valës së të nxehtit.”
Sipas parashikimeve, kulmi i temperaturave ekstreme do të jetë pas datës 21 korrik, kur vendi do të përfshihet nga një valë e fortë të nxehti, me vlera që do të variojnë nga 40 deri në 41°C, veçanërisht në zonat e ulëta dhe ato të brendshme.
“Nga dita e mërkurë deri të shtunën, vendi do të jetë nën ndikimin e kësaj vale intensive të të nxehtit. Temperaturat do të arrijnë maksimumin dhe pritet të jenë të papërshtatshme për aktivitet fizik në orët e mesditës,” theksoi meteorologia.
Megjithatë, ajo shtoi se korriku nuk do të jetë krejtësisht i thatë, siç ka ndodhur shpesh në vitet e kaluara. Fundi i muajit pritet të sjellë ndryshime në situatën sinoptike, me mundësi për reshje të izoluara shiu në disa rajone të vendit.
“Këtë vit kemi një korrik dinamik – me luhatje mes temperaturave të larta dhe periudhave me lagështi dhe reshje. Nuk do të kemi atë tiparin klasik të një korriku të thatë dhe konstantisht përvëlues,” përfundoi ajo.
Meteorologët këshillojnë qytetarët të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë shumë lëngje dhe të bëjnë kujdes të veçantë me fëmijët dhe të moshuarit gjatë këtyre ditëve me temperatura ekstreme.