Kaos në New York/ Metroja zhytet nën ujë, qytetarët të bllokuar në stacione

Pjesë të sistemit të metrosë së New York-ut u kthyen në lumenj të vegjël mbrëmjen e së dielës, pasi reshjet e dendura të shiut përmbytën tunelet dhe stacionet, duke i lënë mijëra udhëtarë përballë kaosit dhe vonesave.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë sesi uji vërshon me shpejtësi përmes paneleve dhe shkallëve të metrosë, duke depërtuar deri në zonat ku qëndrojnë pasagjerët. Në disa stacione, niveli i ujit arriti aq lart sa rrjedha përfshiu edhe platformat.

Autoritetet lokale kanë lëshuar paralajmërime për përmbytje të menjëhershme, duke përfshirë të gjithë zonën metropolitane të qytetit, ndërsa shërbimi i metrosë është ndërprerë pjesërisht dhe në shumë linja ka vonesa të gjata.

Ndërprerja e transportit publik është goditje e rëndë për një qytet që varet nga metroja për jetën e përditshme të banorëve të tij. Për shumë prej tyre, udhëtimi drejt punës ose kthimi në shtëpi u kthye në një odise me pritje të zgjatura dhe rrugë alternative të mbingarkuara.

Ky incident është vetëm një tjetër shenjë alarmi për sistemin e vjetëruar të metrosë, i cili tashmë përballet me sfida serioze nga ndryshimet klimatike. Ngjarje të tilla, që dikur cilësoheshin të rralla, po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për modernizimin e infrastrukturës dhe përgatitjen ndaj ekstremeve të motit.