I penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë” Skerdi Tasi dëshmoi sot në seancën gjyqësore për rastet ku emri i tij është përfshirë.
Tasi zbuloi detaje nga tentativa e dështuar për të vrarë Bujar Çelën , vëllanë e Talo Çelës.
I penduari i drejtësisë tha se porositësi i vrasjes së Bujar Çelës ishte Erion Alibej dhe se ai bashkë me mikun e tij, Henrik Hoxhaj (Riku) morën kapar prej 5 mijë eurosh për vrasjen e Bujar Çelës.
Tasi tha se ditën që ishin nisur për të vrarë Çelën dikush kishte raportuar targën e tyre si makinë e dyshimtë, e për këtë arsye ata anuluan ekzekutimin.
Pjesë nga dëshmia e Skerdi Tasi
“Më tha që veç tyre kishin në plan të vrisnin edhe Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës. Unë e takova Rikun tek shtëpia në Tiranë, që e kishte në bllok. Të nesërmen takuam Nuredinin. Aty ramë dakord për ekzekutimin. Tek Nuredini Riku më prezantoi si nipçe.
Biseduam për kushtet dhe këta tregonin dhe atentatet e Durrësit. Aty morëm dhe një kapar, nja 5 mijë euro. Më vonë e mora vesh se porositësi ishte Erion Alibej. Bujar Çela lëvizte me një Benz. Na tregoi shtëpinë, lokalin. Por ne e anashkaluam. Riku nuk donte që ta vrisnim. Ne edhe e kemi parë, por nuk donim që ta vrisnim. Një herë u bëmë gati. Morëm makinën për atentatin. Por dikush kishte raportuar targën, si makinë e dyshimtë.”