Një prej punëtorëve të minierës së Bulqizës, i cili ishte pjesë e grupit të negociatave mes përfaqësuesve të punëtorëve dhe kompanisë Albchrome, është shkarkuar nga puna pas përfshirjes në protesta.
Altin Kola, i cili mbante pozicionin e vagonistit në minierë dhe me një eksperiencë prej 11 vitesh, ka marrë një shkresë zyrtare nga kompania, ku i komunikohet zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës.
Në shkresën e firmosur nga administratori i përgjithshëm i Albchrome, Cemil Acar, thuhet se Kola ka kryer veprime në kundërshtim me detyrimet kontraktuale, duke dëmtuar materiale zyrtare të kompanisë dhe duke ndikuar në “përshkallëzimin e marrëdhënieve me punëmarrësit”.
Në mjediset publike të Minierës së Kromit në Bulqizë në mars 2025, pas protestave disa ditore të punëtorëve ishte vendosur një njoftim zyrtar nga kompania.
Njoftimi i cilësonte veprimet e tyre si një “grevë e paligjshme” dhe paralajmëronte pasoja të rënda administrative dhe ligjore. Kompania i akuzonte punonjësit se kanë braktisur vendet e punës pa njoftim paraprak dhe se kanë krijuar një situatë të paprecedentë që rrezikonte sigurinë e minierës dhe veprimtarinë normale të saj.