Ka dëshmuar sot në Gjykatën e Posaçme i penduari i drejtësisë Skerdi Tase.
Ai ka rrëfyer për atentatin që i kanë bërë Gim Boriçin.
Pjesë nga dëshmia:
Teksa kërkonim Gim Boriçin, mësuam se e kishin parë tek spitali. Shkuam atje me një makinë “Renault Clio”. Nuk e gjetëm tek spitali. I shkuam tek lokali i tij.
Boriçi ishte duke pirë kafe më vëllanë. Henriku tha, aq më mirë. Sipas tij, nëse i vrisnim të dy ishte më mirë për porositësin. U afruam nga rrugicat drejt tyre. Unë kisha një kallash ndërsa Henriku një pistoletë “Glock”.
U afruam dhe qëllova, por pas një breshërie më ngeci arma. Henriku vazhdonte qëllonte dhe më tha, qëllo se na ikën. Nuk kam ca bëj, i thash se mu bllokua. Ne i qëlluam nga brenda makinës. Unë isha në sediljen mbrapa, ndërsa Riku në timon. Kishim vendosur të ishim të dy ekzekutorë, pasi nuk e dinim se ku do e qëllonim, në lëvizje, në parakalim a nuk e di. Nëse do zbrisnim, ai do isha unë. Ne qëlluam nga 5 metër largësi.
Pamë që ata u ngritën dhe ikën drejt shtëpisë, se ishte ngjitur. Ne nuk dolëm nga makina. Pastaj ikëm tek vendi ku do digjnim makinën.
Kur dogjëm makinën, u dogja dhe vetë. Patëm një çakmak, që kishte avulluar. Patëm një shkrepëse, por kishim pak fije. Kur u afrova që i vura flakën zjarri më dogji mjekrën, flokët. U largova, por më morën flakë edhe dorezat.
Dorezat që i hoqa ishin gjetur nga policia. Vironi më tha se kishin gjetur një provë, por kishte një kushëri tek ekspertiza. Më tha që do flas dhe që duheshin kaq lekë, por e kuptova që donte ta bënte këtë, që të mos i kërkoja më lekë.
Henriku më tha se Renato Saliaj i kishte thënë të ishim të qetë se nuk kishim asnjë provë që mund të na zbulonte.