E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë psikologia Besarta Taçi. Ajo ka folur më shumë mbi rritjen e dëshirës seksuale në verë, tabutë rreth seksit, por jo vetëm…
“E di çfarë më bën përshtypje? Flitet për jugun, për festat, diskotekat, çmimet… Por nuk flitet për këtë realitet të frikshëm, që ndodh një kokteil i mirë me alkool, drogë dhe seksualitet i pakontrolluar, që pjesa më e madhe të nesërmen nuk e mban mend se çfarë kanë bërë. Pjesa më e madhe e shikon në plazh atë vajzën apo atë djalin dhe nuk e mban mend se ka pasur marrëdhënie seksuale. Problematika më e madhe ku qëndron? Që nuk flitet, ia lëmë fajin medias, ia lëmë fajin realitetit, Shqipërisë, politikës…
Duhet të theksojmë faktin që seksualiteti i shtuar, jo gjithmonë është i shëndetshëm. Seksualiteti i shtuar është një mekanizëm që vjen nga pasiguria, nga ndjesia e vetmisë, nga të pasurit një vetëvlerësim shumë të ulët, të pasurit vështirësi për të qenë në marrëdhënie afektive dhe emocionale. Atëherë janë këto kontaktet fizike seskuale sipërfaqësore, të cilat janë nën ndikimin e alkoolit dhe drogës dhe në këtë formë ndihen më pak të vetmuar dhe më shumë të plotësuar.
Dhe hyjnë në një iluzion, i cili mbaron me verën. Pas kësaj faze vjen depresioni, vjen ankthi, vijnë çrregullimet seksuale dhe pastaj vjen një kërkesë gati obsesive për të gjetur arsyet. Por arsyet nuk mund t’i gjejmë as tek ilaçet, as tek droga, as tek alkooli.
Arsyet janë shumë më të thella dhe arsyet janë emocionale dhe psikologjike. Kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur i japim lejen fëmijëve tanë për të shkuar atë weekend, të flasim me fëmijët tanë, ta blejmë ne atë paketën e prezervativit… Prindi është edukatori i parë. Ne vijmë në këtë botë nga marrëdhëniet seksuale”, u shpreh psikologia e njohur.
Pyetjes së Ronaldo Sharkës ‘a mund ta imagjinosh një nënë që i blen një prezervativ vajzës dhe t’ia japë me vete në jug?’, Besarta Taçi u përgjigj:
“Absolutisht po. Njoh nëna dhe kam edukuar nëna, të cilat janë ulur me vajzat dhe kanë mësuar të komunikojnë me vajzat. Nuk e dimë asnjëherë nëse ajo vajzë do ta përdorë apo jo. Nëse prindi i jep lejen, ke marrë një patentë për një natë të shthurur, ideja është që nëse ti merr patentën dhe i jep një makinë fëmijës tënd që shkon me 220 km/h, ti i jep autorizimin për të shkuar drejt një aksidenti, 50% po ose jo.
Nëse ti i jep mundësinë këtij fëmije për t’i thënë që makina shkon deri në 220 km/h, por ti mund të zgjedhësh shpejtësinë tënde, ama ti këtë paketën e ke në xhep dhe kjo mund të mbrojë nga sëmundjet. Por të mos harrojmë një elementë tjetër, nga shtatzënitë e padëshiruara. Kemi aborte pa fund te vajzat të cilat janë nën moshën 25-vjeçare”. /TAR/