“U shtri nën tavolinë, mendova se e qëllova”- Atentati i dështuar ndaj Aredin Beharit, rrëfehet Skerdi Tasi: S’mora asnjë lek për këtë punë! Ja kush ishte porositësi

Skerdi Tasi: Nga Henriku mësova se kishte marrë porosi edhe nga një tjetër për këtë punë, nga Renato Çami.

Këtë ma konfirmoi Henriku. Ai fliste me të me një Blackberry. Henriku mbante kontakte edhe me nipin e Renatos.

Unë prezent në takimet e Henrikut me Renaton nuk kam qenë. Për tentativën ndaj Hajredin Beharit, lokali ndodhet afër rrethrrotullimit të parkut.

Një lokal i vogël në anë të rrugës. Unë qëllova nga jashtë lokalit. E pamë që objektivi ndodhej aty. Ishte me 3-4 vetë të tjerë.

Unë kur qëllova isha 1 metër larg derës. Unë kam pasur veshur një bluzë me kapuç dhe pantallona xhins.

Besoj se qëllova 5-6 herë. Një breshëri qëllova. Ai u shtri nën tavolinë dhe mendova se e godita.

Pas 100 m më priste Riku (Henriku). I thashë që e godita. Shkuam tek lokali i Rikut. Pastaj kaluam nga Gjanica, hodha pistoletën në lumë.

Pas disa ditësh takova Henrikun. Aty debatuam. Më tha, pse e more përsipër kur nuk e bëje dot. Shënjestra kishte shkuar në polici dhe kishte thënë disa emra të dyshuar. Një prej tyre ishte porositësi i vërtetë. Riku më tha, mirë që na dha punë, që nuk e bëmë dot, por tani t’i hapim edhe probleme me policinë.

Henriku më tha se kishte dhënë shpjegime në polici. Henriku më konfirmoi se emri i porositësit ishte në dosjen e policisë.

Nuk mora asnjë lek për këtë punë, pasi nuk e realizuam dot.