“Vdisja fare kur Rita Lati bënte…”/ Roza: Më kanë quajtur vajza e Behar Merës në sy të familjes së tij

Moderatorja e njohur, Roza Lati, ka qenë mbrëmjen e djeshme e ftuar në “Top Story”, Top Channel. Gjatë diskutimit me të ftuarit e tjerë, ajo foli me emocione për ikonat e humorit shqiptar dhe për nënën e saj, Rita Lati.

Roza e quan nënën e saj një aktore koketë, që ka shkëlqyer në të gjitha rolet që ka interpretuar, por veçon personazhet mashkullore që ajo ka luajtur.

“Rita Lati ka qenë gjithmonë një aktore koketë, por rolet e mia të preferuara, kanë qenë kur ka bërë plakat ose burrat. I ka bërë shpesh në skenë me xhaxhi Beharin, siç i thërras unë. Artist i madh, me një familje të mrekullueshme. Megjithatë, mamit i shkonte ai roli koketë, e flokët biondë, buzët e ndezura gjithnjë, si Merlin Monroe. Prandaj dhe unë e kam adhuruar Merlin Monroe, se më dukje si mami im. Por, mami ka eksperimentuar edhe me role të tjera, vdisja fare kur bënte burrin plak”, tha moderatorja.

Roza tregoi se pasi e larguan nga estrada, Ritës i duhet të siguronte para për familjen dhe nisi të krijonte skeçe me Behar Merën, që i interpretonin në vende të ndryshme. Kimia që kishin në skenë bënte që publiku të besonte se ata ishin çift edhe në jetën reale.

“Mua më quanin vajza e Beharit”, kujton me humor Roza Lati:

“Behari ishte i shoqëruar me gruan e tij, mami im me shokun e saj prej 22 vitesh. Organizatori i thotë ‘sa të mirë jeni ju të dy, po atë gocën si e keni. Behar, ty të ka ngjarë apo Ritës’. Dhe Rita që i thotë ‘zotëri, Besa, nusja e Beharit’. Ajo është një pjesë që më ka persekutuar gjithë jetën”.