Skerdi Tasi, i penduari i tretë në dosjen “Plumbi i Artë”, ka dhënë dëshminë e tij në GJKKO lidhur me planin për ekzekutimin e Bujar Çelës, vëllait të shumëkërkuarit Talo Çela. Sipas tij, porositësi i vrasjes ishte Erion Alibej, ndërsa Henrik Hoxhaj (i njohur si Riku) ishte bashkëpunëtori kryesor në atentat.
Tasi tregoi se ai dhe Riku kishin marrë një kapar prej 5 mijë eurosh për të realizuar eliminimin dhe se kishin bërë disa përgatitje, përfshirë vëzhgimin e lëvizjeve të Çelës dhe sigurimin e makinës për atentatin.
“Më tha që veç tyre kishin në plan të vrisnin edhe Bujar Çelën. Unë e takova Rikun tek shtëpia në Tiranë. Të nesërmen takuam Nuredinin. Aty ramë dakord për ekzekutimin. Tek Nuredini, Riku më prezantoi si nipçe. Aty morëm dhe një kapar, rreth 5 mijë euro,” dëshmoi Tasi.
Ai shtoi se objektivi lëvizte me një Benz dhe se ata kishin marrë informacion për shtëpinë dhe lokalin ku qëndronte. Megjithatë, atentati u anulua, pasi dikush kishte sinjalizuar targën e makinës së përdorur nga ekzekutorët si të dyshimtë.
“Ne edhe e kemi parë, por nuk donim ta vrisnim. Riku nuk ishte dakord. Njëherë u bëmë gati, por dikush kishte raportuar targën si të dyshimtë, ndaj hoqëm dorë,” – deklaroi i penduari i drejtësisë.