Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se përdorimi i kartës nga Monika Kryemadhi ka çuar në divorcin me Ilir Metën, për shkelje të besimit dhe shkelje të ligjit.
Ai theksoi në “Real Story” se kartat e zbuluara nga SPAK nuk janë përdorur nga Ilir Meta.
“SPAK tregon në emër të kujt janë kartat dhe kush i ka përdorur. Nuk është z. Meta fare. E thotë SPAK. SPAK thotë se kartat janë në emër të Shatkut dhe në emër të Monika Kryemadhit.
Nuk ka asnjë kartë të Metës. Në momentin kur Meta është vënë dijeni të këtyre kartave, ai ka bërë dhe divorcin me zonjën Kryemadhi si një tradhti e para për një shkelje ligji, dhe ndaj besimit të tij.
Kjo çoi në divorc pa diskutim, patjetër, e ka sqaruar vetë z. Meta. Në momentin që është vënë në dijeni nga SPAK, që kemi zbuluar një kartë, çfarë karte ka përdorur dhe në këtë moment ai ka vendosur divorcin me zonjën Kryemadhi”, theksoi ai.
Blushi deklaroi se drejtësia e re është më e korruptuar se më parë, teksa shtoi se për mbrojtjen e Metes po ecet në dy shina. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së tha gjithashtu se do të tërhiqet nga politika nëse në dosjen e kreut të PL-së ka shkelje penale.
“Gjykatat vendosin afërmendsh cfarë kërkon SPAK. SPAK ka të drejtë të përgjojë të gjithë gjyqtarët, ata janë në kushte presioni, a mund të presësh një gjyqtart që ka përgjime të marrë një vendim? Tani drejtësia është më tepër e korruptuar.
Për mbrojtjen e Metës po ecim në dy shina paralele, e para në studio televizive për akuzat politike dhe shkalla e fundit do të jetë Gjykata e Strasburgut ku kjo ceshtje do te fitohet dhe do të jetë një njollë.
Meta nuk ka asnjë shqetësim, gjendja e tij është e shkëlqyer. Ka qenë dy javë më parë kampion i ping pongut atje dhe asnjë shqetësim pë të, nuk e lejojnë deri më tani të ushtrojë asnjë sport.”