Nga Bavaria, ku dje mori pjesë në hapjen e festivalit “Herrenchiemsee Festspiele”, Kryeministri Edi Rama foli mbi vlerat që ndërtojnë Europën, duke vënë në qendër rolin e artit dhe kulturës si ura që lidhin popujt. Ai theksoi se Europa nuk duhet parë vetëm si një ndërtim politik apo ekonomik, por si një civilizim i përbashkët, i formuar përmes ndjeshmërisë, krijimtarisë dhe bukurisë. “Sot jemi në një kohë kur Evropa, shtëpia jonë e përbashkët, gjendet e rrethuar nga oshëtima e armëve, frika e copëtimit dhe tundimi për ta harruar atë që na mban të lidhur bashkë. Evropa nuk ka qenë kurrë një trakat ose një monedhë, as thjesht një parlament ose një treg. Evropa ka qenë dhe mbetet një civilizim. Një mënyrë për të ndjerë botën, një mënyrë për të besuar se bukuria ka peshë politike, se arti nuk është luks po një mënyrë të jetuari.
Ky festival në sfidën e tij të heshtur, është një mbledhje rezistence. Rezistencë ndaj cinizmit që e mpak Evropën veç në burokraci. Rezistencë ndaj dëshpërimit që e sheh kulturën si dekor. Ne në Shqipëri e dimë se ç’tingull ka heshtja. Për dekada të tëra jetuam pas perdes së hekurt që e ndërtuam vetë. E megjithatë edhe atëherë muzika e gjente rrugën e saj. Një kasetë e hyrë kontrabandë, një partiturë e ndaluar, një kujtim nga një koncert përpara se të ngriheshin muret. Sot muzikantët shqiptarë studiojnë në Mynih dhe Berlin muzikantët gjermanë performojnë në Tiranë. Kjo nuk është rastësi. Kjo është Evropa që bën atë për të cilën është krijuar, të bashkojë përmes krijimit, të lartësojë përmes shkëmbimit”, deklaroi Rama.