Mohoi ekzistencën e lypësve, ministrja jep dorëheqjen, ja deklarata që tronditi vendin

Ministrja e Punës e Kubës, Marta Elena Feitó-Cabrera, ka dhënë dorëheqjen pasi deklaratat e saj ku mohonte ekzistencën e lypësve në ishullin e drejtuar nga regjimi komunist shkaktuan zemërim të gjerë në publik.

Gjatë një seance parlamentare këtë javë, Feitó-Cabrera kishte deklaruar se “nuk ka lypës në Kubë” dhe se ata që kërkojnë në mbeturina, sipas saj, “e bëjnë për zgjedhje, për të fituar para të lehta”. Ajo i quajti gjithashtu “pjesëmarrës të paligjshëm në shërbimin e riciklimit”.

Këto deklarata nxitën reagime të ashpra si brenda ashtu edhe jashtë Kubës, duke çuar në një reagim të menjëhershëm nga presidenti Miguel Díaz-Canel, i cili kritikoi qëndrimin e saj pa e përmendur me emër. Ai theksoi se udhëheqësit nuk duhet të “veprojnë me përçmim” apo të jenë “të shkëputur nga realiteti i popullit”.

Dorëheqja e ministres u pranua nga Partia Komuniste e Kubës dhe qeveria.

Komentet e Feitó-Cabrera-s u cilësuan si fyese për qytetarët nga shumë aktivistë dhe intelektualë, të cilët nënshkruan një letër publike duke kërkuar largimin e saj nga detyra. Ekonomisti kuban Pedro Monreal shkroi në rrjetin social X: “Ka njerëz që shtiren si ministra në këtë vend.”

Kuba po përballet me një krizë të rëndë ekonomike, me mungesa të mëdha ushqimore dhe rritje të ndjeshme të varfërisë. Ndërkohë që autoritetet nuk publikojnë të dhëna zyrtare mbi numrin e personave që kërkojnë lëmoshë, realiteti në rrugët e vendit tregon një rritje të dukshme të tyre, gjë që bie ndesh me pretendimet e ministres së dorëhequr.