Shkak kushtet teknike/ MIE revokon lejen për minierën e kromit në Katjel

TIRANË- Pas rreth dy muajsh nga fatkeqësia e ndodhur në minierën e kromit në Katjel ku një punonjës humbi jetën, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka vendosur që të revokojë lejen nën argumentin e kushteve teknike të rënduara.

Në një dokument të firmosur në fillim të këtij muaji por të bërë publik këto ditë ministria argumenton arsyet e këtij vendimi.

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, me anë të shkresës Nr. 850 prot. AKSEM, datë 09.06.2025, protokolluar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë me Nr. 4146 Prot., datë 09.06.2025, është propozuar revokimi i Lejes Minerare të Shfrytëzimit Nr. 1335, datë 15.04.2009, për mineralin krom, në Objektin “Katjeli Jugor”, Bashkia e Përrenjasit, Qarku i Elbasanit, pas problematikave serioze të ndodhura kohët e fundit në objekt, si rezultat i përmbytjeve të nivelit Hz +428, i vetmi nivel në të cilin kryhet veprimtari minerare.

Pas disa inspektimeve të AKSEM në objekt, është vërejtur se kushtet teknike janë në gjendje të rënduar, me prani të shtuar të ujërave dhe llumrave, deformim të armaturave mbajtëse dhe kapacitet të tejmbushur të sistemit të pompimit, çka e bën të pamundur zhvillimin e veprimtarisë normale pa rrezik për jetën e punonjësve nga Hz +428 deri në nivelin e pusit Hz +655”, thuhet në shkresë.

Lidhur me këtë vendim MIE ka kërkuar që në zbatim të Ligjit Nr.10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 49, pika 1, zotëruesi i lejes minerare në këtë rast Miniera e Kromit Katjel sh.p.k. ka detyrimin të zbatojë planin përfundimtar të mbylljes së aktivitetit minerar, rehabilitimin e mjedisit për sipërfaqen e prekur nga aktiviteti minerar dhe planin e menaxhimit të mbetjeve minerare, të miratuar nga struktura përgjegjëse AKBN.

Vetëm këtë vit nga ana e ministrisë janë njoftuar 15 procedura për fillimin e revokimit të lejeve minerare ku arsyet janë nga më të ndryshme nga mungesa e aktivitetit minerar prej më shumë se një viti tek mosrespektimi i detyrimeve që lidhen me pagesën e garancisë./ Monitor

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.