Aksioni i tatimeve, ‘zhduket’ nga marketet e vogla të Tiranës qumështi i fermerëve

Prej ditës së hënë, pas nisjes së aksionit të Drejtorisë së Tatimeve për formalizimin e tregtimit të produkteve bujqësore, në shumë lagje të Tiranës është ndërprerë furnizimi me qumësht të freskët të prodhuar nga fermerët. Marketet e vogla në zona si Astiri, Fresku dhe “5 Maji” nuk po e marrin më këtë produkt, për shkak të pasigurisë për mënyrën e faturimit.

Tregtarët lokalë pohojnë se nuk kanë qartësi për mënyrën e fiskalizimit të blerjeve që bëjnë nga fermerët, të cilët shpesh u sjellin sasi të konsiderueshme qumështi nga zonat rurale. Edhe pse shumë nga fermerët janë të pajisur me NIPT, tregtarët ndihen të pasigurt për mënyrën e procedimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se të gjitha njësitë tregtare që blejnë mallra bujqësore dhe blegtorale direkt nga fermerët, janë të detyruara të lëshojnë autofaturë fiskale, sipas udhëzimit nr.16, datë 03.04.2020. Kjo skemë aplikohet njësoj për markete, bare, restorante apo supermarkete, kur furnizimi bëhet direkt nga fermeri dhe jo nga një grumbullues apo përpunues i licencuar.

“Detyrimin për lëshimin e autofaturës e ka blerësi, qoftë ky market i lagjes apo njësi tjetër,” sqarojnë Tatimet, duke theksuar se autofatura duhet të përmbajë të dhënat e fermerit dhe të firmoset nga ky i fundit për të siguruar gjurmueshmërinë dhe sigurinë ushqimore.

Në rastet kur fermeri nuk ka NIPT, mjafton që në autofaturë të shënohet emri i tij dhe firma, për të respektuar kriteret ligjore. Kjo do të thotë se çdo fermer, pavarësisht statusit të tij fiskal, ka të drejtë të tregtojë produktet, ndërsa përgjegjësia për faturën i bie tregtarit.

Aksioni i tatimorëve është përqendruar kryesisht te tregjet e mëdha, thertoret dhe përpunuesit, por efektet po ndihen edhe te tregtarët e vegjël. Përmes këtij kontrolli, administrata fiskale synon të forcojë sistemin e fiskalizimit, të rrisë të ardhurat dhe të garantojë sigurinë ushqimore në zinxhirin e furnizimit.