Policia dhe prokuroria kanë marrë në pyetje dy të arrestuarit për vrasjen e Renis Dobrës, Fation Bushgjokajn dhe Petrit Çakrrin. Siç raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, Bushgjokaj ka pranuar lidhjet e tij me 23-vjeçarin në trafikun e paligjshëm të drogës, por mohon përfshirjen në vrasje.
Çakrri ka pranuar se ishte në zonën e ngjarjes, por mohon njohjen personale me viktimën dhe përfshirjen në ngjarje. Ai ka deklaruar se njeh vetëm Kristi Bushgjokajn, i cili është në kërkim nga policia, dhe se është takuar me të në burg.
Ka rrëfyer se pasi i kishte kërkuar për të gjetur një sasi droge nëpër fshatra, kishte shkuar atje. Rrugës ka dëshmuar 55-vjeçari se janë ndarë në dy makina, duke treguar edhe dinamikën e lëvizjes, e cila përputhet me pamjet e kamerave që ka vëzhguar policia. Megjithatë, Çakrri mohon të jetë përfshirë në ngjarje.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur me Dobrën”, mësohet të ketë thënë ai.
Në një moment, sipas Çakrrit vëllezërit hipën në një tjetër makinë dhe ndryshuan rrugë dhe i thanë që të ikte. Çakrri thotë se për fatin e 23-vjeçarit e mësoi vetëm nga mediat.
I riu u gjet i pajetë pranë liqenit të Ulzës, më 9 korrik, pas denoncimit të familjarëve për zhdukjen e tij. Siç konfirmoi edhe Policia, ai është mbytur me litar dhe më pas është hedhur në liqen bashkë me makinën e tij. Si shkak, dyshohen konfliktet mes viktimës dhe katër autorëve për çështje droge.