Hetimet për Myzyrin, SPAK zbulon skandalin 200 mijë euro

Disa biseda telefonike mes një ish-zyrtareje të Komisionit të Prokurimeve Publike dhe familjarëve të saj janë duke u hetuar nga SPAK, pasi evidentojnë një rast grabitjeje të 200 mijë eurove në banesën e ish-zyrtares dhe pengmarrjen e të vëllait.

Burime konfirmojnë se bëhet fjalë për Jonida Skejën. SPAK, i cili ra në gjurmët e kësaj ngjarjeje pasi po hetonte disa procedura tenderash për rrugët, ku ka marrë të pandehur edhe kreun e pezulluar të KPP, Jonaid Myzyrin, po përpiqet të kuptojë burimin e parave.

E pyetur nga hetuesit e SPAK, ish-zyrtarja Jonida Skeja ka pretenduar se burimi i 200 mijë eurove janë të kushërinjve dhe të afërmve të saj që jetojnë në Greqi.

Bisedat e ish-zyrtares me të afërmit e saj kanë treguar shqetësimet e shfaqura nga ajo për grabitjen dhe pengmarrjen disa-orëshe të vëllait të saj, në mënyrë që ai të mos njoftonte policinë. Ngjarja, e cila ka ndodhur në Librazhd, është konfirmuar nga drejtoria vendore e Elbasanit si e denoncuar.

Ndërkohë, disa ditë më parë, për të njëjtin procedim, SPAK mori të pandehur Jonaid Myzyrin dhe 10 ish-zyrtarë të tjerë për dyshimet se kanë shkelur barazinë në tendera për mirëmbajtjen e aksit rrugor Shpal-Ura e Repsit me vlerë 2.2 milionë euro.

Hetimet e SPAK për drejtorin e Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyrin, kanë zbuluar një skandal me vartësen e tij.

Bëhet fjalë për Jonida Skejën, zyrtaren e këtij komisioni, e cila edhe ajo është nën hetim për abuzimet me tenderat publike.

Gjatë hetimeve të SPAK është zbardhur një bisedë telefonike mbi grabitjen e 200 mijë eurove në banesën e titullares, Jonida Skeja, në Librazhd. Autorët e maskuar u pikasën nga vëllai i saj. Pasi e kanë neutralizuar, ata grabitën 200 mijë euro dhe morën peng të vëllain e zyrtares, që ai të mos njoftonte policinë. Ai u la i lirë disa minuta më vonë.

Kjo ngjarje konfirmohet se ka ndodhur para 5 vitesh. SPAK ka në dorë aktualisht bisedën telefonike të Jonida Skejës me nënën e saj, të cilës i rrëfen grabitjen në banesë.

Kjo çështje po hetohet nga prokurori i SPAK, Elvin Gokaj, i cili mësohet se i ka kërkuar informacione policisë së Elbasanit dhe Librazhdit rreth kësaj ngjarje.

Hetimet e policisë kanë zbuluar disa episode që ngrejnë dyshime për abuzimet në Prokurimet publike. Nga përgjimet rezulton se Jonida Skeja është shprehur në një telefonatë se po firmosnin si “delet për atë xhuxhin”, duke iu referuar drejtorit të tij Jonaid Myzyrit. Ai po hetohet nën masën detyrim paraqitje për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe është pezulluar nga detyra e drejtorit.

Bëhet fjalë për tenderin zhvilluar në vitin 2020 me autoritet kontraktor Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe ka të bëjë me lotin e pestë, “Ura e Fanit – Shpal, Qafë Benë – Hadroj, dhe Shpal – Ura e Repsit.

SPAK thotë se Komisioni i Prokurimeve në mënyrë të paligjshme ka favorizuar bashkimin e dy operatorëve ekonomikë, ku pas veprimeve hetimore ka rezultuar se kanë paraqitur dokumente të falsifikuara.

Klan News