Tragjedi në Britani, autobusi me rreth 70 nxënës rrëshqet nga 6 metra lartësi në një shpat mali! Raportohet për viktima dhe dhjetëra të plagosur

Një aksident tragjik ka ndodhur në Britani, ku një autobus që transportonte nxënës të shkollës së mesme doli nga rruga në zonën Exmoor, në perëndim të Somerset, nën rrethana ende të paqarta.

Sipas raportimeve nga BBC, të paktën një fëmijë ka humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Mësohet se në autobus ndodheshin 60 deri në 70 persona, shumica prej të cilëve ishin nxënës që po ktheheshin nga një ekskursion.

Nga aksidenti, 19 persona janë transportuar me autoambulanca në spitale, ndërsa dy të tjerë janë evakuuar me helikopter për shkak të gjendjes së rëndë. Dy fëmijë ndodhen në gjendje kritike për jetën.

Një banor i zonës, dëshmitar i ngjarjes, e përshkroi skenën si “tronditëse”.

“Autobusi ra nga shpatet. Zona është shumë e pjerrët dhe autobusi ishte i madh. Ishte një pamje e tmerrshme… më vjen shumë keq për të gjithë fëmijët që ndodheshin në bord,” tha ai për BBC.

Sipas Shërbimit të Zjarrfikësve të Devon dhe Somerset, autobusi doli nga një rrugë rurale në një zonë të largët dhe rrëshqiti rreth 6 metra poshtë një shpat.

“U angazhuam në një incident madhor, ku një autobus ishte përmbysur mbi çatinë e tij dhe kishte rrëshqitur rreth 6 metra poshtë një shpat”, tha shefi i Zjarrfikësve, Gavin Ellis.

Operacionet e shpëtimit dhe sigurimit të zonës vijojnë ende, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e aksidentit të rëndë.