Jeff Bezos lë bakshish marramendës në Venecia pas martesës luksoze me Lauren Sanchez

Miliarderi amerikan dhe themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, ka tërhequr sërish vëmendjen e mediave, këtë herë për një gjest bujar gjatë qëndrimit të tij në një nga hotelet më luksoze të Venecias. Sipas gazetës italiane Il Gazzettino, Bezos ka lënë një bakshish prej plot 45 mijë euro për stafin e hotelit, pas vizitës së tij me bashkëshorten e re, Lauren Sanchez.

Çifti, i sapomartuar pas një ceremonie madhështore të mbajtur tre javë më parë, qëndroi në një hotel me shtatë yje në qytetin e njohur italian. Sipas raportimeve, dhurata e majme nga Bezos është pritur me shumë mirënjohje nga personeli i hotelit, ndërsa vetë miliarderi nuk ka komentuar ende mbi lajmin që tashmë ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Edhe pse shuma prej 45 mijë eurosh është e konsiderueshme, ajo mbetet një detaj modest në krahasim me shpenzimet për dasmën e çiftit, e cila thuhet se ka kushtuar deri në 30 milionë dollarë.