Rrëzimi i ‘Air India’/ Hetimet zbulojnë prapaskenat, ja si piloti i ngriti kurth kolegut: Avioni, në duart tuaja…

Një ngjarje e pazakontë dhe tragjike ka tronditur botën e aviacionit pas rrëzimit të fluturimit Air India 171, më 12 qershor 2025, me 260 viktima, mes tyre edhe 19 persona që ndodheshin në ndërtesat ku avioni u përplas.

Sipas raportimeve të para nga hetimi, që përfshijnë analizat e “kutive të zeza”, përgjegjës për tragjedinë dyshohet të jetë komandanti Sumeet Sabharwal, një pilot veteran dhe i vlerësuar, i cili me një veprim të qëllimshëm dhe të papritur fiku motorët e avionit vetëm 3 sekonda pas ngritjes.

Në orën 12:39, pak para nisjes së fluturimit nga Ahmedabad drejt Londrës Gatwick, komandanti Sabharwal i dorëzoi drejtimin zëvendëskomandantit Clive Kunder, duke i thënë:
“Avioni është në duart e tua.”

Ky është një veprim i zakonshëm në fluturime, por në këtë rast, sipas burimeve të gazetës Corriere della Sera, ka dyshime se ishte një vendim i llogaritur nga komandanti.

Në orën 13:38:39, avioni u shkëput nga pista me një shpejtësi prej 330 km/h.

Në 13:38:42, komandanti Sabharwal, me një lëvizje të shpejtë, fiku motorët, duke mbyllur rrjedhën e karburantit për motorin e majtë dhe pastaj për atë të djathtë.

Në 13:38:44, zëvendëskomandanti Kunder, i habitur, pyet: “Pse i fikët motorët?”

Nga mikrofoni i komandantit dëgjohet përgjigjja: “Nuk isha unë.”

Kunder e pyeti disa herë, por Sabharwal heshti, duke lënë avionin pa energji.

Pasi humbi fuqinë, avionit iu aktivizua turbina emergjente “Ram Air Turbine (RAT)”, e cila furnizon me energji disa sisteme bazë.

Në 13:38:52, Kunder tentoi të rikthente motorin e majtë në funksion, dhe në 13:38:56 provoi të ndezte edhe motorin e djathtë. Por ishte tepër vonë.

Në 13:39:05, u dha sinjali emergjent “Mayday”.

Në 13:39:11, regjistrimet e kutive të zeza ndaluan – ishte momenti i përplasjes.

Burime perëndimore dhe pilotë të përfshirë në hetim pohojnë se ishte një akt i qëllimshëm nga komandanti. Dëshmitarë pranë tij kanë treguar se Sabharwal vuante prej kohësh nga depresioni, çka mund të ketë ndikuar në vendimin fatal.

Hetimet janë ende në vazhdim dhe autoritetet indiane kanë kërkuar të mos nxirren përfundime të nxituara, por faktet deri tani tregojnë për një akt të paramenduar, që e bën këtë një nga ngjarjet më të rënda në historinë e aviacionit modern.