Policia e Vlorës ka reaguar pas përhapjes së një videoje në rrjetet sociale, ku shihet një konflikt i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në klubin “Lollipop”, një nga lokalet më të frekuentuara në zonën bregdetare të Palasës.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:45 të datës 19 korrik, dhe konfliktit janë përfshirë disa persona. Autoritetet theksojnë se nuk është përdorur armë zjarri dhe nuk ka persona të plagosur si pasojë direkte e sherrit.
Megjithatë, Policia ka bërë me dije se një shtetas, identifikuar si A. V., është lënduar lehtë gjatë momentit që po largohej nga ambientet e lokalit, pa qenë i përfshirë në përleshjen mes palëve.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe po vijojnë punën për identifikimin e personave të përfshirë në konflikt dhe sqarimin e plotë të rrethanave.
Njoftimi:
Në lidhje me një video të publikuar dhe në rrjetet sociale, për një konflikt të ndodhur në një lokal në Palasë, ju informojmë se shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi janë njoftuar menjëherë për këtë rast, më datë 19.07.2025, rreth orës 02:45. Nga verifikimet paraprake, nuk janë konstatuar persona të dëmtuar si pasojë e këtij konflikti, por është dëmtuar lehtë, gjatë kohës që po largohej nga ambientet e lokalit, shtetasi A. V., i cili nuk rezulton të ketë qenë i përfshirë në konflikt. Vijon puna për identifikimin e personave të përfshirë në këtë konflikt dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.