Tragjedia/ Po ruanin delet me nënën e tyre dhe u futën për t’u larë në ujë, si u mbytën dy vëllezërit! Banori: Njërin nga fëmijët e kishte polici në krahë, ia mora dhe i bëra frymëmarrje artificiale, por…

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Elbasanit pasditen e djeshme kur nga Labinot-Fushë ka ardhur informacioni se dy djem, vëllezër, janë mbytur në ujërat e lumit Shkumbin.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas mesdite, ndërsa dy djemtë, të moshës 7 dhe 9 vjeç kanë qenë me bagëti. Ata kanë hyrë të lahen për shkak të të nxehtit të madh dhe gjithçka ka rezultuar fatale për jetën e tyre. Sipas të dhënave të para ata nuk kanë qenë vetëm, por me ta ka qenë edhe nëna e tyre, e cila ka qëndruar me bagëtitë ndërsa dy vëllezërit kanë shkuar të freskohen në ujërat e lumit, që i ka rrëmbyer.

Trupat u gjetën më vonë, në një tip grope, që gjendej në afërsi të një hidrocentrali. Madje ka qenë roja i objektit që i ka shquar dhe është nisur me idenë t’u jepte ndihmën e parë, pro ka qenë e pamundur. Djemtë ishin të pajetë. Policia dhe prokuroria kanë shkuar në vendin e ngjarjes për të konstatuar shkaqet, edhe pse tashmë nuk ka më rëndësi, sidomos për familjen që humbi dy fëmijët e saj!

DINAMIKA E NGJARJES

Dy djemtë e moshës 7 dhe 9 vjeç, vëllezër, janë mbytur ndërsa ruanin bagëtitë së bashku me nënën e tyre të tyre. Ata raportohet se kishin hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe mungesa e sigurisë bënë që ata të mos arrinin të dilnin më në breg. Banorë të zonës dhe forcat e emergjencës që mbërritën aty u përpoqën t’i ndihmonin, por fatkeqësisht, trupat e pajetë të të miturve u gjetën pak më vonë në një kanal të lumit më poshtë.

Ngjarja ka tronditur të gjithë zonën, ndërsa familjarët ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike, të afërm e bashkëfshatarë të viktimave. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj tragjedie, ndërsa prokuroria dhe policia ishin në vendin e ngjarjes për të hetuar shkaqet, edhe pse fëmijët në fakt kanë qenë të shoqëruar. Do të jenë ekspertët që do të bëjnë analizimin e shkaqeve të vdekjes, por fëmijët kanë hyrë në lumë, në një pjesë jo të sigurt të Shkumbinit

DËSHMITË E BANORËVE

Një i afërm i familjes ka zbuluar për mediat detaje nga ngjarja e rëndë, ku dhe ka treguar se dy vëllezërit janë gjetur nga roja i një hidrocentrali aty pranë, në një gropë të krijuar në ujë në formë prite. Ai u shpreh se ka tentuar t’i jepte ndihmën e parë njërit prej fëmijëve duke i bërë frymëmarrje artificiale, por i mituri nuk ka dhënë asnjë reagim.

“Isha te puna, pashë policinë, pashë që po vinin me vrap. Një zotëri që punon te hidrocentrali, njërin fëmijë kishte në krah. Pashë të ëmën që po përplasej këtej, të atin nuk e di nga ikte më… I njoh, i kam njerëzit e mi, u turra dhe unë me vrap. Kanë bagëtitë, i nxjerrin këtej zallit, me ato mbahen. Prindërit mbajnë lopët, këta mbajnë bagëtitë e imëta, delet. Më tutje është bërë një gropë e madhe, kanë bërë një pritë dhe aty i kishte gjetur roja i hidrocentralit. Njërin fëmijë e kishte polici në krahë, ia mora, i bëra frymëmarrje artificiale, nuk jepet reagim fare. Vinin çdo ditë te puna ime mbushnin ujë, rrinin aty kur ishte vapë”, – tha ai.

Ndërkohë në vendngjarje janë parë edhe fqinjët e familjes Bica, të cilët janë shprehur tejet të shokuar nga ngjarja.