Prokuroria e Sarandës ka reaguar lidhur me “fatin” e trupit të pajetë të shtetasit Isa Rexhepaj, i cili u gjet në një depo të vjetër në vendin e quajtur Limjon, lagjen nr.4 të qytetit.
Organi i akuzës shprehet se nga ana e policisë gjyqësore janë kryer veprimet hetimore si, kqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i sendeve që ndihmojnë në zbardhjen e çështjes dhe gjithashtu u morën deklarime të shtetasve që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë është urdhëruar edhe ekspertimi mjeko-ligjor për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Kufoma e Isa Rexhepajt u dorëzua në morgun e spitalit Sarandë për të kryer veprimet e nevojshme për transportimin pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, me qëllim kryerjen e autopsisë dhe ekspertimit mjeko-ligjor.
“Në vijim, jemi informuar se Spitali Sarandë ka marrë masat dhe ka transportuar po më datë 18.07.2025, pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë kufomën e shtetasit I. R”, informoi Prokuroria.
Njoftimi:
Reagim i Prokurorisë Sarandë në lidhje me shtetasin I.R. i gjetur i pajetë në Limjon
Duke marrë shkas nga disa informacione të bëra publike më datë 18.07.2025, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë bën me dije se më datë 18.07.2025 shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Sarandë u njoftuan se në vendin e quajtur Limjon, në lagjen nr.4, Sarandë, në një depo të vjetër ishte gjetur kufoma e shtetasit I.R..
Nga ana e policisë gjyqësore u kryen veprimet hetimore si, kqyrja e vendit të ngjarjes, sekuestrimi i sendeve që ndihmojnë në zbardhjen e çështjes, u morrën deklarime të shtetasve që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe u urdhëruan ekspertimet e nevojshme, ndër to dhe ekspertimi mjeko-ligjor për të përcaktuar shkakun e vdekjes.
Kufoma u dorëzua në morgun e spitalit Sarandë për të kryer veprimet e nevojshme për transportimin pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, me qëllim kryerjen e autopsisë dhe ekspertimit mjeko-ligjor. Veprimet e para hetimore u ndoqën nga prokurori i gatshëm.
Në vijim, jemi informuar se Spitali Sarandë ka marrë masat dhe ka transportuar po më datë 18.07.2025, pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë kufomën e shtetasit I. R.
“Ping-pong” mes Prokurorisë, Spitalit dhe Policisë në Sarandë
65-vjeçari Isa Rexhepaj u gjet i vdekur në një kolibe peshkimi pesë ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjen. Trupi i tij u zbulua mëngjesin e së premtes (18 Korrik) nga vëllai, i cili njoftoi menjëherë policinë.
Pas mbërritjes në vendngjarje, autoritetet kryen veprimet e para hetimore dhe trupi u transportua në morgun e spitalit të Sarandës. Megjithatë, edhe pse u kërkua një ekspertizë më e thelluar mjeko-ligjore në Tiranë, trupi nuk u lëviz nga Saranda.
Sipas familjarëve, kufoma kishte nisur të dekompozohet për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar pas vdekjes.
Vëllai i të ndjerit u shpreh se spitali i Sarandës ia kaloi përgjegjësinë Policisë së Shtetit, kjo e fundit thotë Prokuroria, ndërsa prokuroria pretendon se përgjegjësia i takon policisë.
“Vajta e mora, kishte katër ditë i vdekur. Lajmërova policinë, erdhi ambulanca dhe e çuan në morg vëllanë. Prokuroria thotë do ta çojmë në Tiranë, por ai nuk mund të çohet se i ka rënë mishi, është nxirë, vjen era kërmë. Jam këtu para morgut, nuk më japin trupin e vëllait. Prokuroria thotë e ka Policia, Policia thotë e ka spitali, spitali thotë e ka Policia. Nuk di çfarë të bëj, unë dua të varros vëllain, t’i bëj adetet e fundit”, është shprehur vëllai i viktimës për News24.
Familjarët kërkojnë që sa më parë të mund të marrin trupin e të ndjerit për ceremoninë mortore.