Vrasja e Renis Dobrës, hetuesit në kërkim të një personi të pestë. Çakrri dhe Bushgjokaj dalin sot para gjykatës

Vrasja e Renis Dobrës në Burrel, ka sjellë intensifikimin e hetimeve për zbulimin e një personi të 5, që ka bashkëpunuar me Petrit Çakrrin dhe 3 vëllezërit Bushgjokaj të identifikuar si pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndë.

Gazetari i “Ora News”, Elton Qyno, ka mësuar se në këtë ngjarje dyshohet dhe po punohet për identifikimin e një personi tjetër të pestë, që ka orientuar autorët mbi lëvizjet me makinë të Renis Dobrës dhe treguar disa rrugë të zonës së Burrelit.

Identifikimi i këtij personi pritet të realizohet përmes analizimit të tabulateve telefonike dhe ekspertimit të aparateve celularë që janë sekuestruar Fation Bushgjokaj dhe Petrit Çakrrit.

Ndërkohë tani në orën 09:00 është planifikuar të zhvillohet në gjykatën e Dibrës, seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj dy personave të arrestuar.

Përfaqësuesi i prokurorisë Dibër, ka kërkuar vleftësimin e ligjshëm të ndalimit të Fatjon Bushgjokaj dhe Petrit Çakrrit dhe caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”.

Gjatë marrjes në pyetje dy personat e arrestuar nuk kanë pranuar se kanë njohje me viktimën 23-vjeçar, Renis Dobra, dhe kanë mohuar pjesëmarrjen e tyre në vrasje.

Hetimet për këtë rast janë duke u kryer për akuzën e rrëmbimit dhe vrasjes me paramendim kryer në bashkëpunim si dhe Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Renis Dobra u rrëmbye teksa po shkonte në banesën e tij në një fshat të Burrelit.

Dyshohet se vrasja lidhet me mospagesën e shumave financiare në Gjermani, ku Dobra ka shërbyer si shpërndarës droge për llogari të vëllezërve Bushgjokaj nga Tropoja.