Irani bie dakord me tre vende evropiane për rifillimin e bisedimeve për programin bërthamor, çfarë ndodh nëse nuk arrihet një marrëveshje

Irani, së bashku me tre vende europiane, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë, kanë rënë dakord të rifillojnë bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit dhe mundësinë e heqjes së sanksioneve.

“Sipas parimit, është rënë dakord për rifillimin e bisedimeve, por konsultimet për kohën dhe vendin e zhvillimit të tyre janë ende në vazhdim. Vendi ku mund të zhvillohen bisedimet javën e ardhshme nuk është përcaktuar ende,” raporton agjencia iraniane e lajmeve, Tasnim.

Sipas raportimeve nga Axios, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rënë dakord javën e kaluar të vendosin fundin e muajit gusht si afat përfundimtar jozyrtar për arritjen e një marrëveshjeje bërthamore me Iranin.

Nëse nuk arrihet marrëveshje deri në atë datë, tre fuqitë europiane synojnë të aktivizojnë mekanizmin e njohur si “snapback”, i cili rikthen automatikisht të gjitha sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që ishin pezulluar në kuadër të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e njohur si Plani Gjithëpërfshirës i Veprimit të Përbashkët (JCPOA).