Një tjetër rast lidhur me abuzimet kibernetike me qëllim mashtrimin e qytetarëve dhe vjedhjen e të dhënave bankare, është goditur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK).
Ngjarja na fjalë konsiston në marrjen e një mesazhi në celular në emër të bankës Raiffeisen Bank ku kërkohet përditësimi i kartës bankarë nëpërmjet linkut të poshtëshënuar me qëllim mospezullimin e aktivitetit bankar.
Klikimi në linkun e dërguar në mesazhe të tilla, është i rrezikshëm pasi kërcënon drejtpërdrejt zbulimin e të dhënave personale të individit si dhe të dhënat e llogarisë bankare.
Reagimi i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike:
Rast i bllokuar me sukses nga AKSK: sulm keqdashës nëpërmjet SMS (smishing).
Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të Raiffeisen Bank, u parandalua dhe u neutralizua në kohë rekord.
Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me Raiffeisen Bank dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.
SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.
Kujtojmë të gjithë qytetarët:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta nga burime të panjohura.
Mos ndani të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale.
Verifikoni gjithmonë adresat zyrtare të bankave apo institucioneve.
Kërkoni ndihmën e një eksperti të sigurisë kibernetike
Raportoni raste të ngjashme të sulmeve kibernetike.
AKSK falenderon AKEP dhe Raiffeisen Bank për bashkëpunimin e menjëhershëm dhe qytetarët që denoncojnë raste të dyshimta!