Erion Veliaj merret zyrtarisht i pandehur, prokuroria kërkon zgjatjen e afatit të hetimeve për kryebashkiakun

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është marrë zyrtarisht i pandehur për akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash, bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Burime nga prokuroria bëjnë me dije se është kërkuar zgjatja e afatit të hetimeve dhe është caktuar data e mbylljes, 29 shtator 2025.

Një ditë më parë edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash.

Erion Veliaj mbahet në paraburgim prej 10 shkurtit të këtij viti. Ai po hetohet bashkë me bashkëshorten Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenë, njëri prej tyre, Elman Abule, i cili mbahet në masën e sigurisë të arrestit në shtëpi.

REAGIMI I AVOKATËVE

Ekipi ligjor i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar një ditë më parë pas informacioneve për marrjen të pandehur të tij.

Njoftimi i akuzës, sipas avokatëve, do t’i japë për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe të analizojë provat e prokurorisë.

“Siç jemi njohur nga mediat e ‘SPAK’, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij”, – theksohet në reagim.

Ata theksuan se: “Jemi thellësisht të shqetësuar që praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë joligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.

Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale. Siç jemi njohur nga mediat e ‘SPAK’, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij”.