“Paketa e Maleve” ka tërhequr mbi 1,800 aplikues që kërkojnë të marrin statusin “posedues jo pronar” për të investuar në zonat malore të vendit.
Ishte Ministri i Pushtetit Vendor, Arbjan Mazniku ai që bëri me dije këtë interes në një intervistë për mediat. Sipas tij, statusi i investitorit do t’u jepet atyre që plotësojnë kriteret e përcaktuara, duke përfshirë angazhimin në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave malore dhe krijimin e mundësive pune për banorët lokalë. Aplikantët, që në të shumtën e rasteve i kanë përdorur historikisht këto toka, do të mund të përfitojnë të drejtën e shfrytëzimit përmes kontratave afatgjata.
PAKETA E MALEVE
Në kuadër të kësaj pakete tokat do të ofrohen me një çmim simbolik prej vetëm 1 euro për metër katror. Mazniku njoftoi se për koordinimin e kësaj iniciative do të formohet një bord i përbashkët në kuadër të Akademisë së Pushtetit Vendor, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të qeverisë dhe bashkive përkatëse.
“Kemi më shumë se 1800 aplikantë të cilët kanë aplikuar për të shprehur interesin. Kjo shprehje interesi do ndihmojë bashkitë për të caktuar zonat që do quhen zona për zhvillim malor. Do kenë një status të posaçëm. Pra faza e parë e këtij procesi do jetë deri në mesin e Shtatorit.
Bazuar në këtë proces, bashkitë do t’i sjellin në Këshillin e Ministrave, do miratohet në Këshillin e Ministrave, më pas brenda kësaj zone do ketë mundësi të aplikohet me të gjitha parametrat e paketës së maleve brenda 3 kollonave kryesore. Kollona e parë ka të bëjë me mundësinë e një personi që të investojë në një pronë që është e tija, t’i japë statusin e posaçëm bashkia që quhet statusi i poseduesit jo pronar. Me këtë status të posaçëm, pasi kalon statusin e apelimit nëse ka një ankesë, merr këtë status, i jepet e drejta për të aplikuar pranë Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit, dhe pasi bën këtë zhvillim i jepet mundësia që tokën të cilën e kishte të vetën por për arsye s’kishte mundësi ta merrte, i jepet mundësia ta blejë për 1 euro. Të gjitha bashkitë e vendit janë super të interesuara që të kenë sa më shumë bujtina, agroturizme. Po të jenë të gjithë, vetëm mirë bëjnë”, -deklaroi Mazniku.
Qeveria shqiptare përmes kësaj pakete synon të frenojë largimin e banorëve nga zonat malore dhe të krijojë mundësi të reja zhvillimi, duke nxitur investime në sektorë kyç si bujqësia, blegtoria dhe turizmi, që përbëjnë potencialin më të madh ekonomik në këto territore. Financimi i Akademisë do të jetë i ndarë në mënyrë të barabartë, me 50% nga qeveria dhe 50% nga bashkitë, çka garanton bashkëpunim dhe mbështetje institucionale në zbatimin e Paketës së Maleve.
“Akademia e Pushtetit Vendor është proces i nisur shumë kohë përpara kësaj shkundje, ka nisur me kërkesën e vetë bashkive para më shumë se 1 vit e gjysmë. Bashkitë kanë problem me aftësimin e stafit. Brenda punëve të bashkive ka një seri punës specifike, ndaj kemi krijuar strukturë të re që krijohet bashkarisht me bashkitë. Struktura do ketë bord të përbashkët. Gjysma i emërojnë vetë bashkitë, gjysma i emëron qeveria. Financohet pjesërisht nga bashkia, pjesërisht nga qeveria. Synojmë të kemi ndërveprim”.
Ministri Mazniku sqaroi se në ato bashki të vendit, ku stafi ka bërë punë të mirë në sektorë të ndryshëm, do të merret dhe do të trajnojë kolegët e bashkive të tjera.