Klientët e Raiffeisen bank kanë rënë në grackën e një mashtrimi kibernetik.
Një qytetar ka humbur 1 milion lekë të vjetra pasi ra viktimë e një skeme të sofistikuar që synon të vjedhë të dhënat bankare përmes SMS-ve të rreme.
Sipas dëshmisë, qytetari mori një mesazh në telefon që pretendohej të ishte nga Raiffeisen Bank. Në përmbajtje thuhej:
“Për të shmangur pezullimin e shërbimeve tuaja, ju lutem përditësoni kartën tuaj brenda 22 korrikut nëpërmjet këtij linku.”
Duke e konsideruar mesazhin si zyrtar, ai klikoi linkun pa hezitim. Pas disa minutash, pa përdorur fare kartën bankare fizike, nga llogaria e tij u tërhoqën para. Për më tepër, ai nuk ka më qasje në aplikacionin Raiffeisen ON.
“Dua ta denoncoj këtë ngjarje që të mos mashtrohen edhe të tjerë si unë. Më kanë vjedhur paratë pa pasur kartën time, vetëm pse klikova një link nga një SMS që mendova se vinte nga banka. Tani as aplikacioni nuk funksionon më,” – shprehet qytetari në denoncimin për JOQ.
Ky rast është një tjetër sinjal alarmi për përhapjen në rritje të mashtrimeve që përdorin identitetin e bankave për të mashtruar qytetarët me mesazhe që duken të besueshme. Linket që përmbajnë këto mesazhe janë të dizajnuara për të vjedhur të dhëna personale dhe financiare.
Reagimi i bankës Raiffeisen
Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të Raiffeisen Bank.
Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me Raiffeisen Bank dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.
SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.
Kujtojmë të gjithë qytetarët:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta nga burime të panjohura.
Mos ndani të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale.
Verifikoni gjithmonë adresat zyrtare të bankave apo institucioneve.
Kërkoni ndihmën e një eksperti të sigurisë kibernetike
Raportoni raste të ngjashme të sulmeve kibernetike.