E ftuar në “The Dalina Show” në Andale Media, gazetarja e kronikës Klodiana Lala solli një intervistë tronditëse, por edhe thellësisht zbuluese për fytyrat e krimit në Shqipëri dhe përtej.
E njohur për qasjen e saj të drejtpërdrejtë dhe përballjet e guximshme me botën e errët të krimit të organizuar, Klodiana ndau për herë të parë disa nga përjetimet e saj më të forta dhe rrëfime ekskluzive që rrallë i dëgjon në media. Kur Dalina Buzi e pyeti “Si janë kriminelët?”, Klodiana u përgjigj pa mëdyshje:
“Kam njohur nga të gjitha llojet. Ka kriminelë që e kanë nisur nga rruga, duke shitur një dozë droge, duke vjedhur dhe më pas janë shndërruar në njerëzit të cilët qëndrojnë tek ajo dhoma e tyre dhe japin urdhra, me raste as me telefon, po përmes të besuarve të tyre.
Kam parë kriminelë të cilët janë shndërruar të tillë për shkak të problemeve që u kanë ndodhur, pra, në një moment të caktuar, u ka ndodhur një fatkeqësi dhe ndoshta të nxitur nga shoqëria, të nxitur nga shumë rrethana, kanë hyrë në krim dhe më pas nuk kanë ditur të ndalen. Dhe kam parë nga ata gjakftohtët të cilët e kanë parë jetën e njeriut si vetëm një gjë që ‘Unë vras për para dhe kaq.’”
Një ndër historitë më të veçanta ishte ajo e një interviste të zhvilluar në anonimitet me një trafikant droge:
“E pyeta, i thashë ‘Çfarë bën një kriminel? Çfarë bën ti kur nis një sasi të madhe droge?’ Më tha ‘Niset droga nga një port në Ekuador, Plaga e Akilit, për shembull, dhe vjen drejt një prej vendeve të Bashkimit Europian.’
Dhe më tha detaje shumë interesante, jo të gjitha janë pasqyruar.”
Gazetarja vazhdoi me një pjesë të papritur të rrëfimit: “‘Ka nga ne,’ tha, ‘që shkojnë në kishë’. I thashë unë ‘Po mund të shkojë në shtëpinë e Zotit një njeri i cili është duke kryer krim?’
‘Unë njeri jam,’ tha, ‘mund të hyj dhe në kishë.’” Në vijim, ai i kishte treguar edhe për konceptin e “partneres besnike”:
“’Ka të tjerë,’ tha, ‘që qëndrojnë me partneren e vet besnike.’ I thashë ‘Po kush është partnerja besnike?’
‘Në mesin tonë,’ tha, ‘ne kemi familje, kemi grua që na rrit fëmijët etj., por kemi dhe partnere besnike. Është ajo vajza,’ tha, ‘që zgjedh të qëndrojë krah teje ose e ulur pranë teje kur ti mund të bësh edhe marrëveshje për të vrarë dikë apo për të bërë trafik droge, por ajo nuk ka parë dhe nuk ka dëgjuar gjë.’
I thashë ‘Po si e shpërblen këtë partnere,’ këtë… nuk e di si ta quaj se s’dua t’i vë një emër tjetër.
Tha ‘Po nëse unë nis 300 bukë,’ pra e kishte fjalën për 300 gramë kokainë, ‘dhe ngarkesa shkon në destinacion pa u prekur nga institucionet, çfarë i kam unë 100 mijë euro për t’ia dhënë asaj?’”
Klodiana ndau edhe një moment investigimi personal: “I thashë ‘Do më thuash emrin tënd të vërtetë?’ Më tha ‘Jo.’ I thashë ‘Unë e kam zbuluar.’ ‘Pse?’ më tha. ‘Nga tatuazhi yt,’ i thashë. Sepse kishte një bluzë të zezë dhe pjesa e tatuazhit i kishte mbetur në krah zbuluar. Dhe aty e pa që nuk kishte shpëtim, që e kishte tradhtuar veten.
Nuk e di nëse e mban më atë tatuazh apo nëse e ka hequr, por di që më tha ‘Ne kemi rënë dakord bashkë që nuk do të përshkruash asgjë nga këto detaje që mund të më identifikojnë.’ Sepse ky ishte pakti: unë do merrja gjithçka më duhej për shkrimin tim, por nuk do ta identifikoja.
Dhe patjetër, i thashë ‘Vëri një emër vetes.’ Përfundimisht, zgjodhi ta quante veten Arben.”
Sipas Lalës, ai nuk është i arrestuar: “Sigurisht që duhet të jetë diku në dosjet e prokurorive, jo në Shqipëri ndoshta, por në ato ndërkombëtare, sepse kishte shumë pak aktivitet në Shqipëri. Kishte në vendet e Bashkimit Europian, kryesisht në Holandë, Britaninë e Madhe dhe Ekuador.”
Një tjetër kategori kriminelësh që përmendi gazetarja ishte ajo e atyre që trashëgojnë krimin:
“Kam parë dy prej tyre. Njëri, kur e pashë në pamje të parë, dukej si një punëtor i thjeshtë, si një fermer. Të them të drejtën, nuk e besoja. Kur me burimet e mia jam përpjekur të kuptoj se çfarë ishte, më rezultoi që e kishte trashëguar aktivitetin kriminal.
Ai tani kishte kaluar në një tjetër nivel. Kjo do të thotë që të gjitha lidhjet e tij kriminale, bashkëpunëtorët, i kishte kaluar te fëmijët dhe pasardhësit. Ndërkohë vetë ishte tërhequr dhe ‘shitej’ si një biznesmen.”
Por ndoshta rasti më i dhimbshëm për të ishte një takim në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë:
“U futëm te ajo që ishte përshtatur si dhoma e fëmijëve, që njëri nga të burgosurit e kishte pikturuar dhe e kishte bërë shumë bukur. Pamë edhe kriminelin e rëndomtë, edhe atë të nivelit të lartë të krimit të organizuar, edhe atë kriminelin që qelinë ia pastronin të tjerët dhe vetë rrinte si zotëri, domethënë ishte i privilegjuar edhe brenda burgut.
Kuptuam që aty brenda shkonin edhe vajza të showbiz-it, edhe vajza të ekranit. Po flasim shumë vite përpara, se tani mua më vjen të qesh kur dalin sot këto histori.
Dhe një moment, tek ajo që njihet si dhoma e fëmijëve, pashë një të dënuar që e njoha dhe e pyes ‘Për çfarë je dënuar?’ Tha ‘Unë jam në burg për vjedhje.’
‘Ju jeni një mashtrues,’ iu ktheva. Ai kishte vrarë ish-bashkëshorten, me të cilën unë frekuentoja të njëjtën shkollë dhe e kisha njohur nga afër. Kishte vrarë ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën. I kishte vrarë natën e Vitit të Ri kur ata po bënin bakllavanë.
Ishte treguar aq i pamëshirshëm sa, kur ish-bashkëshortja në tentativë për t’i ikur, ishte fshehur mes raftit të rrobave dhe murit, ai kishte një mllef dhe ishte një vrasës aq gjakftohtë, sa e kishte dëmtuar në pjesën e fytyrës për t’i shëmtuar bukurinë; ajo ishte një vajzë shumë e bukur.
I thashë ‘Ju mashtroni, sepse jeni dënuar për vrasje. Jeni me burgim të përjetshëm. Ju keni vrarë filan vajzë bashkë me prindërit. Dhe ju nuk jeni ndalur këtu, ju keni mashtruar një grua tjetër, jeni martuar me të dhe keni bërë fëmijë.’
Dhe në fakt, gruaja aktuale nuk e dinte të vërtetën. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar pas krimit dhe kishte krijuar familje jashtë. Vetëm kur u arrestua, ajo mësoi të vërtetën.
Ai u inatos, m’u afrua, ndoshta ishte dhe gati për të më goditur, aty ndërhynë forcat e policisë. Ky ka qenë ndër momentet e mia të mllefit: sesi një kriminel i pamëshirshëm donte të më gënjente. Këtë e konsideroj ndoshta si vrasës gjakftohtë.
Ose të tjerë që thonë ‘Do vrasim, se do provojmë armën.’ ‘A e kapim dot atë kapelen që ka zotëria në kokë?’ Ndodhin edhe sot këto.” Në fund të bisedës, Dalina Buzi tha me të drejtë: “Nëse ka një njeri që është marrë me të gjithë llojet e burrave, je ti.” Dhe e pyeti: “Çfarë është një burrë i vërtetë sipas teje?”
“Unë burrin e vërtetë e mas me fjalën e mbajtur. Atë që kur e thotë ‘po’ ose ‘jo’, i qëndron fjalës, pa marrë parasysh pasojat. Për fat të keq, konstatoj që janë rralluar shumë burrat që e mbajnë fjalën.
Shpesh, nga etja për pushtet, për t’u pasuruar, konstatoj rrugës burra të vegjël, burra meskinë, që merren me gjëra të vogla..Edhe në krim, ka disa parime: s’e prek dot tjetrin në familje.”