48 orët e fundit, strukturat policore në Sarandës kanë kaluar në gjendje gatishmërie.
Si fillim forcat “RENEA”, në të gdhirë të 23 korrikut, krehën nga deti e toka një pjesë të konsiderueshme të zonave të braktisuara të periferisë, me qëllim kapjen e të paktën 5 personave të kërkuar, njëri prej të cilëve i paidentifikuar, të përfshirë në dy ngjarje me përdorim arme zjarri dhe një tjetër me shpërthim eksplozivi, në harkun kohor të 5 ditëve.
Ndërsa mbrëmjen e 23 korrikut, dy automjete civile me efektivë të operacionales së Vlorës, siç duket edhe në pamjet që sjell BalkanËeb, ndalonin në ecje makina të rastësishme në akset më turistike të Sarandës dhe Ksamilit.
Komisariati i Sarandës po mundohet të përballojë elemente të armatosura me strukturën e një komisariati të vogël, ku veprat penale të rënda dhe ato të krimit të organizuar, tashmë hetohen nga Drejtoria e Vlorës.
Strukturat kundër krimit të organizuar në Vlorë e Tiranë kanë buxhetin, specialistët dhe teknologjinë për të goditur këto grupe. Kanë qasje në survejim të sofistikuar, në bashkëpunim ndërkombëtar dhe në metoda hetimi.
Shkak është bërë vendimi për ndryshimin e strukturës në një Komisariat që mbulon të paktën 4 Bashki. Lënia e një barre kaq të madhe për një Komisariat të vogël, i shton më shumë problemet.
Fokusimi i këtyre ditëve i efektivit të Komisariatit tek ngjarjet e rënda, ka lënë zbuluar menaxhimin e trafikut në qytet, menaxhimin e plazheve apo trajtimin e konflikteve të vogla, që nesër mund të kenë pasoja më të mëdha.