Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në Vlorë, rreth orës 21:00, në fshatin Llakatund të njësisë administrative Risili, ku një 24-vjeçar ka mbetur i plagosur pas një konflikti që dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Eugen Mahmutaj, 24 vjeç, banues në fshatin Risili, ka mbetur i plagosur me mjet prerës (thikë) dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës. Mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, Mahmutaj ndodhej në një lokal së bashku me autorin e dyshuar 25-vjeçarin Gëzim Rrapaj, kur mes tyre ka nisur një debat.
Të dy dyshohet se kanë qenë në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes kur debati ka agravuar fillimisht në sharje dhe më pas në përdorimin e armës së ftohtë nga 25-vjeçari Rrapaj.
Njoftimi i policisë
Të martën rreth orës 21:00, në fshatin Llakatund, gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me mjet prerës shtetasi E. M., 24 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim kapjen e autorit, i cili dyshohet se është shtetasi G. Rr., 25 vjeç.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.