SPAK merr në pyetje Ergys Agasin, thellohen hetimet për personazhin kyç që Ahmetaj e akuzoi si koordinator të…

Biznesmeni Ergys Agasi është paraqitur dje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme. Marrja e tij në pyetje në SPAK vjen pas kontrolleve që agjentët e BKH-së dhe Policia e Shtetit bënë në banesat dhe zyrat e biznesit të tij disa ditë më parë. Atij iu sekuestrua telefoni për llogari të disa hetimeve që ende nuk janë zbuluar zyrtarisht. Çështja po ndiqet nga prokurori Bledar Maksuti.

Kush është Agasi?

Kujtojmë se Ergys Agasi është konsideruar nga Arben Ahmetaj si eminenca gri e kryeministrit Edi Rama, një figurë misterioze që vepron larg kamerave, por me dorën mbi butonat e pushtetit dhe miliardat që rrjedhin nga fondet publike. I njohur si djali i ish-deputetit socialist Bardhyl Agasi, Ergys Agasi u ngjit në pushtet përmes Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) dhe më pas u afrua me Partinë Socialiste, duke mbajtur poste në administratë si drejtues i Inspektoratit të Mjedisit. Por ndërkohë që profili i tij publik mbetej i ulët, ndikimi i tij rritej në prapaskenë. Po ashtu ai është denoncuar mediatikisht edhe për emërime të njerëzve të tij në poste kyçe në shtet. Gazetarja Klodiana Lala ka ndarë para një viti në rrjetet sociale listën sipas saj të emërimeve të familjarëve që Ergys Agasi ka emëruar në pozicione drejtorësh në shtet, duke filluar nga: Gerti Hoxha (djali i hallës së Ergys Agasit)- Drejtor rajonal i OSHEE-se për Qarkun Durrës; Arsen Agasi (djali i xhaxhait te Ergys Agasit) shef i AKU për Portin; Klesti Cela (kunati i Agasit) Drejtor ASHK Tirana Rurale.

Denoncimet

Sipas ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetajt, Agasi ka marrë dhe kontrollin mbi Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) përmes lidhjeve të tij politike dhe familjare. Ahmetaj tha se Agasi, një individ pa funksion zyrtar, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në vendimmarrjet e qeverisë dhe në strukturat e Partisë Socialiste. Ai ngriti pyetjen retorike nëse socialistët votuan që “Ergys Agasi të drejtojë Shqipërinë”, duke lënë të kuptohet se Agasi vendos për çështje të rëndësishme në drejtimin e vendit. Arben Ahmetajt ka deklaruar se Agasi ka organizuar takime mes politikës, krimit dhe biznesit, duke shërbyer si ndërmjetës mes këtyre sferave. Ai përmendi një rast konkret ku Agasi ka organizuar një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësues të krimit të organizuar, politikës dhe biznesit. Këto takime, sipas Ahmetajt, janë prova të lidhjeve të ngushta mes qeverisë dhe elementëve kriminalë. Ahmetaj gjithashtu akuzoi Ramën se ka caktuar Agasin për të koordinuar marrëdhëniet me grupet kriminale, duke e bërë atë një figurë kyçe në strukturën e pushtetit. Ai sugjeroi se Agasi është personi që kontrollon Partinë Socialiste dhe administratën publike, duke ndikuar në emërimet dhe vendimmarrjet kyçe. “Ka në fakt një koordinim mes organizatave mafioze. Ata nuk vriten me njëri – tjetrin. Kjo sepse Edi Rama iu ka kërkuar të mos i hapin telashe. A është Rama i lidhur me këto grupe kriminale? Nuk është vetëm i lidhur, por po të jap emrin e koordinatorit, Ergys Agasi. Është një tip që jeton në Durrës, pranë klanit të Durrësit. Tani është bërë për llogari të Ramës, koordinator i të gjithë grupeve,” deklaroi Ahmetaj gjatë një interviste me mediat italajane. Edhe gazetarja Klodiana Lala ka raportuar më parë për një takim të organizuar nga Agasi në një resort luksoz në periferi të Tiranës, ku morën pjesë përfaqësues të politikës, krimit dhe biznesit. Në postimin e saj, Lala shkruajti: “Ergys Agasi është një emër i lakuar për lidhje të ngushta me njerëz të krimit. Ai ka marrë në dorë drejtimin e PS-së në Durrës, duke u kthyer në njeriun më të besuar të Ramës, pas ‘rënies’ së Vangjush Dakos. Sot, ai kontrollon çdo qelizë të institucioneve në qytetin bregdetar. Çdo emërim në poste kyçe në administratë kalon përmes tij. Për të treguar fuqinë e tij, po ndaj një detaj: disa kohë më parë, Agasi organizoi një festë në një resort në periferi të Tiranës, ku mblodhi krimin, politikën dhe biznesin. Policia ka faktet në dorë. Detajet e kësaj feste janë të dokumentuara, dhe SPAK ka mundësinë t’i hetojë.”

Intevista e RAI 3 me Ahmetajn

Emisioni investigativ “Report” i kanalit italian RAI 3, përmendi pak kohë më parë se Ergys Agasi, djali i ish-deputetit socialist të Durrësit, është një biznesmen dhe ish-zyrtar, përveç të tjerash pronar i një kompanie që prodhon cigare dhe që merret me logjistikë. Nuk ka qenë kurrë i dënuar apo i hetuar për lidhje me mafian shqiptare, por shpesh mediat kanë folur për lidhje të tij me anëtarë të grupeve kriminale si për shembull narkotrafikantin Xhevdet Troplini. Por Arben Ahmetaj tregoi një anë tjetër që mediat deri dje nuk e kishin raportuar, ndonëse emri i Agasit kishte nisur të përmendej si një nga njerëzit më me influencë në Durrës. “Agasi bën koordinatorin dhe pastaj ai i përdor për zgjedhjet. Ku i takon Rama? I takon edhe në zyrën e tij, në zyrën e mbledhjeve që ka në selinë e qeverisë. Unë nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pranuar kurrë të përfshihem. I kam parë pothuajse të gjithë. Personazhe nga Dibra, Durrësi, Elbasani… Po. Kapo të mafias”, tha Ahmetaj në rrëfimin për RAI3.

Vera 33 mijë euro

Ahmetaj bëri një tjetër akuzë të fortë ndaj Ramës. Ai theksoi se në këtë kopshtin e tij të luleve në Kryeministri, Rama pi një lloj vere me një çmim prej 33 mijë e 600 dollarë, bashkë me koordinatorët e krimit (Agasin). “Një ngacmim për të lidhur kopshtin e Edenit me Onkologjikun. Vuajtjen e qytetarëve me kopshtin e Edenit me peshqit e kuq si avatari dhe in betëeen dhoma e luleve ku pihet kjo lloj vere me kordinatorin e krimit,” tha Ahmetaj. Vera që Rama konsumon në vendin e tij të qetësisë në kryeministri është nga kantina ‘Domaine de la Romanée-Conti’. Kjo kantinë verë në rajonin e Burgonjës në Francë është një nga verërat më të famshme dhe më prestigjioze në botë. Kjo verë futet në listimet e verërave më prestigjioze në bote dhe më një çmim prej 33 mijë e 600 eurosh.