Tronditet futbolli, ndërron jetë ish-mbrojtësi i njohur

Bota e futbollit italian është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të ish-mbrojtësit të njohur Celeste Pin. Legjenda e mbrojtjes së Fiorentinës u gjet i pajetë në banesën e tij në Firenze, në moshën 64-vjeçare dhe “Gazzetta dello Sport” bën me dije se dyshimet e para janë për një vetëvrasje.

Lajmi u konfirmua pas një telefonate alarmuese nga një familjar, e cila bëri që shërbimet e emergjencës dhe forcat e rendit të ndërhynin menjëherë. Shkaqet e vdekjes ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Celeste Pin është një emër i njohur për ndjekësit e Serie A, pasi ai la gjurmë të thella sidomos me fanellën ‘vjollcë’ të Fiorentinës, për të cilën luajti mbi 200 ndeshje. Gjatë karrierës së tij, ai ishte gjithashtu pjesë e skuadrave si Perugia, Verona dhe Siena, duke u vlerësuar për profesionalizmin dhe shpirtin luftarak në fushë.

Pas tërheqjes nga futbolli aktiv, Pin mbeti pranë sportit të tij të zemrës duke dhënë kontribut si drejtues në sektorët e të rinjve, ku ndihmoi në rritjen e talenteve të reja.