Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, ka zbuluar detaje të reja lidhur me hetimet e SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas Lalës, për herë të parë në një dosje që përfshin një politikan të këtij niveli, siç është Veliaj, një bashkëpunëtore e drejtësisë është bërë kyç për ndërtimin dhe forcimin e akuzave.
Kjo dëshmitare, e përshkruar si një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Ajola Xoxes, bashkëshortja e Veliajt, është konsideruar si “truri financiar” i disa prej kompanive të saj.
“Statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë nuk i jepet çdokujt,” – u shpreh Lala. – “Dëshmia e saj lidhet drejtpërdrejt me çështjen dhe është kryqëzuar me prova të tjera që e bëjnë akuzën të fortë dhe të blinduar.”
Gazetarja thekson se SPAK ka në dorë një dosje voluminoze, që përfshin fatura dhe kontrata të ndryshme, 97 dëshmi të tjera, blerje online, zbërthime të telefonave të sekuestruar.
Lala tha se prania e kësaj dëshmitare të penduar, që ka punuar si financiere për entitete të lidhura me Ajola Xoxen, pritet të ketë ndikim jo vetëm në çështjen ndaj Veliajt, por edhe në dosje të tjera që janë aktualisht në duart e SPAK.
“Për herë të parë, nuk kemi të bëjmë vetëm me disa të pandehur,” tha Lala, “por me një hetim që përfshin mbi 30 persona, shoqëri financiare, OJF dhe ish-deputeten Klotilda Bushka.”
Një moment kyç, sipas saj, në këtë proces do të jetë ballafaqimi i Erion Veliajt me këtë dëshmitare, e cila është bërë tashmë pjesë e drejtësisë si bashkëpunëtore.
Klodiana Lala: Për herë të parë ndodh që në dosjen ndaj një politikani të rëndësishëm sic është Veliaj, që u arrestua në zyrën e tij të punës, SPAK e arrestoi, fakti që ka një bashkëpunëtor të drejtësisë dhe bëhet fjalë për një nga bashkëpunëtoret më të ngushta të Ajola Xoxes.
Statusi i bashkëpunëtori të drejtësisë nuk i jepet çdokujt. Dëshmia e saj ka lidhje me cështjen, ka lidhje me provat dhe përmes saj janë kryqëzuar me provat e tjera, mund të konsiderohet një blindim i akuzave ndaj Veliajt.
Sepse SPAK kishte fatura, kontrata, 97 dëshmi të tjera, fatura të blerjeve online, zbërthime të telefonave të sekuestruara. Fakti që kemi një bashkëpunëtore të drejtësisë, është pikë kthese sa i takon si do funksionojë SPAK.
Kjo zonjë është konsideruar truri financiar i kompanive të Ajola Xoxes por jo vetëm që ajo ka punuar si financiere, mund të ketë të dhëna të rëndësishme për dosje të tjera që janë në SPAK.
Për herë të parë SPAK ska vetëm disa të pandehur por 30 persona, shoqëri financiare dhe OJF dhe ish deputeten Klotilda Bushka. Erion veliaj do të ulet përballë një të penduare.