Lamborghini me targa zvicerane, ‘flakë’ në rrugët shqiptare, kompania: Distancohemi nga ky stil drejtimi (Video)

Një Lamborghini Aventador me targa të Kantonit të Zyrihut ka tërhequr vëmendjen dhe e qytetarëve në Shqipëri për shkak të mënyrës së drejtimit. Makina luksoze, me vlerë 219,000 franga zvicerane, është filmuar duke bërë manovra të guximshme dhe të ndaluara, përfshirë parakalime në vijë të bardhë të vazhduar dhe kalime në rrethrrotullime me shpejtësi marramendëse.

Pamjet janë bërë virale në rrjetet sociale dhe janë shpërndarë nga një dyqan amerikan që merret me modifikime të supermakinave. Ky dyqan, që promovon slogane si ‘Ndalo së qeni i ngadaltë’, ka pajisur Lamborghinin me modifikime shtesë, ndonëse fuqia origjinale prej 700 kuaj fuqi nuk ka qenë e mjaftueshme për shoferin e saj.

Makina ishte pjesë e një turneu luksoz të supermakinave që kaloi përmes Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë gjatë datave 13-18 korrik. Ajo u vu re në disa nga rrugët më të frekuentuara të vendit, duke shkaktuar rrezik për drejtuesit e tjerë të automjeteve dhe për këmbësorët.

Sipas deklaratave nga Autogalerie Bellevue në Meilen, kompania që e ka shitur automjetin, makina ishte dhënë me qira për dy javë dhe është shitur rreth një javë më parë. Pamjet tregojnë ende kornizën me emrin e galerisë zvicerane, çka ka sjellë reagim të ashpër nga menaxhmenti i saj.

‘Ne e dënojmë këtë stil drejtimi dhe distancohemi zyrtarisht prej tij,’ u shpreh bashkëdrejtori Bruno Da Costa. ‘Ky është një lloj reklamimi shumë i keq për ne. Do të kontaktojmë menjëherë pronarin për të hequr kornizën me logon tonë.’