Vrasja në Fier/ Kushëriri i viktimës flet me lot në sy: Në shtëpinë e tyre ka ardhur 10-15 herë policia se kishte…

Fshati Frashër në Fier është tronditur nga vdekja e 56-vjeçarit, Anesti Rama, i cili u mbyt me tel nga vajza e tij, Emanilda Rama. Kjo e fundit është arrestuar nga policia dhe nëna e saj, Valbona Rama është shoqëruar në komisariat si bashkëpunëtore në krim.

Lidhur me ngjarjen ka folur edhe kushëriri i viktimës, Etmond Rama, i cili është shprehur se përplasjet dhe zënkat mes çiftit ishin të shpeshta dhe se policia ishte thirrur disa herë për ndërhyrje.

“Këtu jo një herë po ka ardhur 10-15 herë policia sepse kishin konflikte me gruan”, tha kushëriri i viktimës.

Ngjarja ishte kallëzuar nga vajza fillimisht në polici si aksidentale, ndërsa pas veprimeve hetimore u zbulua se autorja ishte vetë ajo. Kjo e fundit më pas ka pranuar krimin dhe është shprehur se e ka vrarë sepse i ati ishte fanatik dhe nuk e linte të vishej si donte ajo apo të dilte.

E reja ishte ndarë nga partneri pak kohë më parë dhe jetonte me prindërit. Ndërkohë në polici është shoqëruar dhe Valbona Rama nëna e vajzës, pasi akuzohet se ka pastruar trupin e viktimës, me qëllim inskenimin e vrasjes si aksidentale.