U hoq si Taulant Balla dhe i mori 100 mijë euro biznesmenit Flamur Rrushi, në pranga Saimir Reka, pjesë e grupit të Florian Gjergjit

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Totali”, që çoi në arrestimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim, të akuzuar për mashtrime me vlera të konsiderueshme monetare. Mes tyre është edhe një tjetër anëtar i grupit të Florian Gjergjit, 27-vjeçari Saimir Reka (Hamza).

Ky i fundit një vit më parë ka arritur t’i marrë në bashkëpunim me 3 petrsona të tjerë, 100 mijë euro biznesmenit Flamur Rrushi, duke u hequr si Taulant Balla.

Mesazhi biznesmenit i ka ardhur nëpërmjet aplikacionit “Viber”, ku “Taulant Balla” i kërkonte paratë dhe e udhëzoi që t’ja japte një personi që po e priste në Librazhd. Pa e dyshuar fare se nuk po fliste me Taulant Ballën, ka bërë gati shumën e parave. Biznesmeni ka pranuar në polici se me ministrin Taulant Balla janë miq familjar, dhe se të regjistruar në telefon i kishte shënuar një tjetër numër telefoni. Përmes një personi të afërt, ai ka kuptuar që shumë e parave në fakt ia kishte dërguar një personi tjetër dhe jo Ballës. Ndaj edhe shkoi e bëri denoncimin.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Totali”.

I mori një shtetasi, nëpërmjet mashtrimit, 100 000 euro, ndalohet 27-vjeçari.

Mashtronte klientët, duke iu marrë para për punime të cilat nuk i kryente, ndalohet 42-vjeçari.

Si rezultat i kontrolleve të mbështetura te informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim për llogari të Policisë së Tiranës dhe Elbasanit, u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, operacioni “Totali”, në kuadër të të cilit u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit:

-A. O., 42 vjeç, i cili u kap në zonën e quajtur “Xhamlliku”, pasi akuzohet se iu merrte shtetasve, 300 000-400 000 lekë parapagesa, duke i mashtruar se do të kryente për llogari të tyre, punime me duralumin;

-S. R. (H)., 27 vjeç, i cili u kap në zonën e quajtur “Allias”, pasi kërkohej nga Policia e Elbasanit, i akuzuar se më datë 31.04.2024, në bashkëpunim me 3 shtetas, nëpërmjet mashtrimit, i kanë marrë 100 000 euro, shtetasit F. Rr.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Emri i Florian Gjergjit është një prej më të lakuarve për skemat e mashtrimit me biznesmenët në dy vitet e fundit, por pavarësisht arrestimeve të disa anëtarëve të grupit të tij, ai vetë nuk është arrestuar ende nga policia. Duke pasur mundësinë që të planifikojë skemën e radhës së mashtrimit.