Situata nga zjarret është përkeqësuar gjatë orëve të natës. Në Borsh flakët i janë afruar zonës së plazhit, ndërsa rruga Himarë-Sarandë pranë Borshit momentalisht është e pakalueshme.
Sipas raportimeve, autoritetet kanë evakuuar shumë banorë të cilët jetojnë në banesat që rrezikohen nga zjarri masiv, si dhe pushuesit e akomoduar në hotelet e Borshit.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka bërë me dije se në Borsh, Piqeras dhe Sasaj ka rinisur ndërhyrja nga ajri më dy helikopterë për fikjen e zjarreve.
POSTIMI I PLOTË:
Në #Borsh, #Piqeras dhe #Sasaj ka rinisur aksioni nga ajri me dy helikopterë të Forcës Ajrore për të neutralizuar zjarret që kanë kërcënuar banesat dhe bizneset e zonës për shkak të erës së fortë që favorizoi përhapjen e shpejtë të flakëve gjatë orëve të para të mëngjesit.
Teksa zjarrëfikësit dhe Forcat e Armatosura të stacionuara në Borsh gjatë natës siguruan perimetra sigurie përreth banesave, Policia e shtetit dhe punonjësit e emergjencave civile ndihmuan banorë dhe pushues të evakuohen nga zonat më të rrezikuara, duke shoqëruar drejt sigurisë 40 prej tyre.
Zjarrfikësit e Himarës dhe Forcat e Armatosura vijojnë operacionin në terren duke bashkërenduar me ekuipazhet e helikopterëve për të eliminuar çdo rrezik.