SHBA/ 42-vjeçari sulmon me thikë klientët e një supermarketi, 11 të plagosur, 4 në gjendje të rëndë

Momente frike në Michigan. Disa klientë të një supermarketi të zinxhirit Walmart në Traverse City, një qytet në veri të shtetit amerikan, u sulmuan nga një burrë i armatosur me një thikë. Njëmbëdhjetë persona u trajtuan në Qendrën Mjekësore Munson të qytetit. Pesë prej tyre raportohet se janë në gjendje të rëndë.

Agresori është arrestuar. Policia e shtetit të Michigan-it deklaroi se incidenti po hetohet nga sherifi lokal, por për momentin nuk janë dhënë detaje të tjera. Forcat e rendit u kanë kërkuar banorëve të shmangin zonën.

Zëdhënësi i zinxhirit të supermarketeve, Joe Pennington, tha se “kompania po bashkëpunon me policinë”. Ende nuk dihet motivi i sulmit.

Zyra e sherifit të qarkut Grand Traverse bëri të ditur se rreth orës 16:45 të së shtunës, një 42-vjeçar hyri në dyqan i armatosur me një thikë palosëse me teh 5 centimetra, duke sulmuar këdo që i dilte përpara. Një oficer mbërriti brenda pak minutash dhe e neutralizoi agresorin.