Ky është komisari Agim Troci, prej 3 ditësh ndodhet në një shtrat spitali me djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në trup pasi mbeti i bllokuar mes flakëve në fshatin Kopaçëz të Delvinës teksa po evakuonte banorët.
Në temperatura përvëluese teksa flakët shkrumbonin gjithçka u dilte para, komisari bashkë me vartësit e tij dhe ekipin e zjarrfikësve iu përgjigj thirrjes për ndihmë.
“Na thanë zjarrfikëset që banorët nuk pranojnë të evakuohen. Mes tyre ishte dhe një fëmijë 10 vjeç. Morëm në krahë dhe një grua të moshuar. Pastaj një çift të moshuarish që nuk pranonin”, u shpreh për Tch Agim Troci, shef i komisariatit Delvinë .
Minutat e harxhuara duke bindur banorët se jeta e tyre ishte më e shtrenjtë se prona dhe kontrollet për të evakuuar banorë në banesat e mbetura bënë që flakët të zinin në kurth Shefin e komisariatit të Delvinës.
“Gjeta një kovë të vogël me ujë laga bluzën thashë të mos asfiksohem. U çoj lokacionin kolegëve. Telefonat mu bllokuan nga nxehtësia. U ula u mendova. Ishte moment i vështirë mendova fëmijët dhe familjen. Kam vrapuar 100 metra për të gjetur zjarrfikësen ku e lashë, por nuk e gjeta. Kishte shumë tym dhe blozë, kam rënë pa ndjenja”, tha Troci.
Për fat të mirë komisari u pa nga zjarrfikëset teksa doli mes tymit dhe flakëve dhe u transportua fillimisht në spitalin e Delvinës pastaj në spitalin e Sarandës dhe më pas me helikopter drejt QSUT-së ku mori një trajtim më të specializuar.
Pret 15 vitesh si pjese e uniformave blu, Agimi ishte mësuar t’u shërbente njerëzve ndërsa tani atij i shërbejnë dhe i shprehin mirënjohje të njohur dhe të panjohur duke e quajtur aktin e tij heroik, ndërsa ai vetë e sheh si diçka më se të zakonshme dhe mezi pret të kthehet në punë.
“Kam më shumë se 2500 mesazhe në telefon. Jam ndjerë mirë. Vizita nga e gjithë Shqipëria. Por sinqerisht nuk kam bërë asgjë për të marrë këtë protagonizëm. Njerëzit duhet të veprojnë me zemër. Zemra nuk të lë të gabosh asnjëherë. Unë mezi pres të kthehem në punë”, përfundoi Troci.
Në një kohë kur në lajme shpesh shfaqen punonjës policie në anën e kundër të ligjit apo që nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre, historia e Komisar Agim Trocit frymëzon.
Ai veproi përtej uniformës, ligjit dhe rregullave për të shpëtuar jetë njerëzish duke rrezikuar të tijën.