SPAK i vë ‘kapakun’, ja kush janë të pandehurit e dosjes Meta

Nëntë muaj pas arrestimit të Ilir Metës, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur hetimet për dosjen e njohur si “Meta”, e cila përfshin aferën CEZ-DIA dhe skandalin e lobimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me mbylljen zyrtare të hetimeve, SPAK ka marrë të pandehur pesë persona, mes tyre ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi. Dyshja, tashmë të divorcuar edhe ligjërisht, akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas SPAK, ata dyshohet se kanë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme ndër vite, duke përdorur pushtetin politik dhe lidhjet familjare për të fshehur burimet financiare.

Në listën e të pandehurve:
Ilir Meta – akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Monika Kryemadhi – akuzohet për të njëjtat vepra penale si Meta.
Pirro Xhixho, ish-kreu i AKEP dhe babai i deputetes së PL-së, Erisa Xhixho – akuzohet për korrupsion pasiv.
Ema Çoku, mikesha e ngushtë e Monika Kryemadhit – akuzohet për pastrim parash.
Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit – është marrë së fundmi e pandehur për pastrim parash.

Fatime Kryemadhi, vjehrra e Ilir Metës, u paraqit sot në ambientet e SPAK për t’u njohur me akuzat ndaj saj, por u largua pa u marrë në pyetje, pasi i është kërkuar të rikthehet nesër për shkak të mospranueshmërisë së avokatit përfaqësues të saj, Ema Çoku, e cila është gjithashtu e pandehur në të njëjtën çështje.

Ndërkohë, komunikimi zyrtar i akuzës për pastrim parash iu bë sot Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos. Vetë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi u morën të pandehur më 29 maj 2025.

Monika Kryemadhi pritet të paraqitet sërish nesër, në orën 13:00, në ambientet e SPAK për t’u njohur me mbylljen e hetimeve që rëndojnë mbi të dhe pandehurit e tjerë.

Aktualisht, Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”. Dyshja, që kanë dominuar politikën shqiptare në dekadat e fundit, janë tashmë në qendër të një prej proceseve më të bujshme të drejtësisë së re shqiptare.